Admir Fazlagikj
25 Tetor 2017•Përditësim: 26 Tetor 2017
SHKUP (AA) - Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov, sot në Bruksel ka realizuar një takim me presidentin e Këshillit Evropian, Donald Tusk, të cilit i ka kërkuar një impuls të ri, dërgimin e një mesazhi pozitiv në drejtim të zhbllokimit të integrimit të Maqedonisë në Bashkimin Evropian (BE) dhe fillimin e negociatave për anëtarësim, transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç bëjnë të ditur nga kabineti i Ivanovit, theksi gjatë takimit është vendosur tek e ardhmja e Maqedonisë në BE dhe në aktivitetet e vendit në drejtim të marrjes së datës për fillim të negociatave për anëtarësim.
Kabineti presidencial njofton se temë tjetër e bisedimit ka qenë edhe situata në rajon dhe BE, përfshirë edhe krizën e migrantëve e cila ka tronditur kontinentin.
"Tusk donte të dëgjoj nga ne për perceptimet tona për situatën në Bosnjë e Hercegovinë dhe Serbi. Bashkëbiseduam edhe për krizën e migrantëve, dhe atë që ne kemi fituar nga përvoja e vitit 2015, që do të thotë, cilat janë tendencat e reja, çfarë po ndodh në rajon dhe të ngjashme. Do të thotë, u hapën temat për të ardhmen evropiane të Maqedonisë, situata në rajon dhe kriza me migrantët por edhe shqetësimi ynë për zhvillimet në BE siç është Brexit-i, ngjarjet në Katalonjë dhe lëvizjet e fundit në BE për të drejta më të mëdha në nivel lokal”, ka thënë Ivanov, citohet nga kabineti i tij.
I pyetur nëse BE-ja dhe Maqedonia presin valë të re të emigrantëve përgjatë rrugës së Ballkanit Perëndimor, në të cilën ndodhet edhe Maqedonia, Ivanov theksoi se "frika e Maqedonisë ishte në vitin 2015, kur vendi nuk ishte i gatshëm dhe ishte pa përvojë në lidhje me atë çfarë po ndodhte, por se aktualisht migrantët përdorin një rrugë të re përmes Bullgarisë dhe Rumanisë duke e shmangur Maqedoninë".
Presidenti Ivanov tha se në raport me krizën e emigrantëve, Tusk është njohës i mirë i rrethanave në Maqedoni, sepse vendimi i BE-së ishte që të mbyllet korridori dhe se Maqedonia respekton këtë vendim.
"Nga këtu këto shtete duhet të organizohen dhe të gjejnë një zgjidhje. Ne gjithmonë kemi insistuar se ka refugjatë që kanë nevojë për ndihmë dhe mbështetje. Këta njerëz kanë nevojë për ndihmë humanitare sepse nuk kanë një shtëpi, vendbanimet e tyre janë shkatërruar dhe si pasojë ata janë refugjatë. Mirëpo, migrimi ekonomik i njerëzve që kërkojnë jetë më të mirë është mjaft ndryshe sepse ata vijnë kryesisht nga kontinenti i Afrikës dhe nuk mund të kenë të njëjtin status të refugjatit si ata nga vendet e luftës, të cilët kanë të drejtën e azilit dhe mbrojtjes", tha Ivanov.
Sipas tij, kjo situatë krijon papajtueshmëri në BE bashkë me prezantimet e ndryshme nga organizatat humanitare.
Në kuadër të qëndrimit dy-ditor në Bruksel, presidenti i Maqedonisë do të marrë pjesë dhe do të ketë një adresim në forumin në Krans Montana, si dhe do të zhvillojë takim me zëvendëskryeministrin njëherësh ministër i Jashtëm dhe Çështje Evropiane të Belgjikës, Didier Reynders.