Bekim Laci
23 Korrik 2017•Përditësim: 24 Korrik 2017
SHKUP (AA) - Një palestinez 23 vjeçar i cili më 19 korrik ka mbërritur në fshatin Vaksincë që ndodhet në veri të Maqedonisë, fizikisht është sulmuar dhe grabitur nga ana e tre pakistanezëve, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) të Maqedonisë thuhet se rasti është denoncuar të shtunën në Sektorin e Punëve të Brendshme - Kumanovë nga ana e kujdestarit në stacionin policor Sopot, i cili ka informuar se personi me inicialet A.F ka deklaruar se është grabitur nga tre pakistanezë të cilët i kanë marrë atij 150 euro.
Nga biseda e realizuar me të, policia ka konfirmuar se ai me një grup emigrantësh ka mbërritur në Vaksincë ku është pritur nga tre pakistanezë të cilët kanë pasur për detyrë të presin dhe më vonë të dërgojnë emigrantët jashtë Maqedonisë.
“Më 21 korrik rreth orës 22:00, ata i kanë kërkuar secilit nga grupi 2.000 euro që t'i transferojnë jashtë kufirit në Republikën e Serbisë. Ngaqë A.F. nuk ka pasur para, njëri nga organizatorët e ka sulmuar, duke e goditur në fytyrë, ku pastaj ia ka marrë paratë dhe e kanë braktisur. A.F. është dërguar në Qendrën transitore – Shkup”, thuhet në njoftimin e MPB-së.