Fatjon Cuka
19 Mars 2018•Përditësim: 20 Mars 2018
TIRANË (AA) - Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka autorizuar ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, të lëshojë plotfuqinë për grupin negociator për fillimin e negociatave me Greqinë, për çështjet e hapura mes dy vendeve, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një njoftim Presidenca e Shqipërisë thuhet se Meta ka dhënë autorizimin për negocimin e “Projektmarrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë për kufizimin e zonave të tyre detare”.
"Meta u kërkon Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, institucioneve shtetërore shqiptare, të përfshira në këto negociata dhe grupit negociator, të përmbushin përgjegjësitë e tyre në respekt të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, akteve ndërkombëtare ku Republika e Shqipërisë është palë, kuadrit të brendshëm ligjor, në interes të ruajtjes dhe ushtrimit të sovranitetit territorial dhe juridiksionit kombëtar dhe të garantimit të sigurisë, dobisë ekonomike e sociale të vendit", theksohet në njoftim.
Kujtojmë se në muajt e fundit mes zyrtarëve të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë dhe Ministrisë së Jashtme të Greqisë, janë mbajtur disa takime dhe raunde bisedimesh, mbi çështjet e hapura mes dy vendeve, me fokus arritjen e marrëveshjes për caktimin e kufirit detar mes dy vendeve dhe shfuqizimin e ligjit të luftës nga Greqia.