Fatjon Cuka
01 Korrik 2020•Përditësim: 02 Korrik 2020
Nën kujdesin e Institutit "Yunus Emre" Tiranë është organizuar një bashkëbisedim online me aktorin turk Oktay Kaynarca, me pjesëmarrjen e ndjekësve nga disa vende të Ballkanit, raporton Anadolu Agency(AA).
Aktori kryesor i serialit "Familja e Madhe” iu përgjigj pyetjeve nga Shqipëria, Kosova dhe Bosnjë dhe Hercegovina në lidhje me fillimet e karrierës së tij si aktor, punimet e tij gjatë karantinës, këshillat për të rinjtë që dëshirojnë të bëhen aktorë, projektet e tij dhe serialet që ai ka marrë pjesë.
"Unë vendosa të merrem me aktrim dhe gjithnjë kam menduar të eci në një vijë të drejtë. Nëse ke edhe eksperiencën, mund ta bësh edhe akoma më mirë këtë profesion", tha Kaynarca gjatë bashkëbisedimit, duke theksuar se për një rol kryesor duhet të kesh disa karakteristika të veçanta.
Pyetjes se si ka vendosur të bëhej aktor, ai iu përgjigj: "Me siguri kjo është diçka që unë e kam dashur që herët dhe është mëse e vërtetë. Që nga fillimi jam munduar që të bëj më të mirën time. Aventura ime e televizionit më tërhoqi shumë dhe më pas e pashë që të bëhesha aktor kishte filluar të bëhej pjesë e jetës time. Më pas u rrit më shumë dëshira dhe arrita të merrja diçka më profesionale. Më pas vendosa që të vazhdoj shkollën për të rritur aktrimin dhe kështu vazhdoi aventura ime si aktor", u shpreh ai.
"Kam luajtur në seriale të ndryshme, në drama, komedi, në programe të ndryshme dhe kam bërë prezantime dhe kjo sigurisht është një punë e gjatë. Kam filluar me tetarin, pastaj kam kaluar në rrugën e serialeve dhe kam luajtur në shumë seriale. E dua shumë edhe komedinë dhe mendoj se është një ndër gjinitë më të vështira”, shtoi Kaynarca.
Kaynarca theksoi se “Ballkani është një nga vendet më të bukura të botës dhe për Turqinë është një nga vendet më të rëndësishme”.
“Kam qenë një herë në Shqipëri dhe është një vend shumë i bukur dhe kemi shumë kultura të përbashkëta. Shqiptarët janë shumë të dashur dhe sigurisht që kam mbresa shumë të mira”, u shpreh aktori turk gjatë bashkëbisedimit.
Oktay Kaynarca lindi më 27 janar të vitit 1965 në Malatya. Ai ka studiuar teatër në Konservatorin Shtetëror të Universitetit të Stambollit. Projekti i parë kinematografik ku ka marrë pjesë është “Ana Tjetër e Ujit”. Oktay Kaynarca u bë i njohur në Turqi dhe në vende të tjera me rolin e Süleyman Çakır në serialin “Lugina e Ujqërve”. Kaynarca ka marrë pjesë edhe në shumë projekte të tjera dhe ai fitoi sërish zemrat e publikut me një personazh të ngjashëm me atë që luajti në “Luginën e Ujqërve”, në serialin “Familja e Madhe”.