Mustafa Talha Öztürk
18 Maj 2023•Përditësim: 18 Maj 2023
Komisioneri i Bashkimit Evropian (BE) për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, ka deklaruar se populli i Bosnjë e Hercegovinës (BeH) meriton të jetë pjesë e BE-së, raporton Anadolu.
Komentet e komisionerit të BE-së erdhën në një forum politik të nivelit të lartë në kryeqytetin Sarajevë.
Forumi u organizua nga Këshilli i Ministrave, ndërsa në të morën pjesë zyrtarë të lartë të Federatës së BeH-së dhe Republikës Srpska.
"Ne mendojmë se populli i BeH-së meriton të jetë në BE. BeH-ja pritet në BE si anëtare", tha Varhelyi.
Kryetarja e Këshillit të Ministrave, Borjana Krishto, tha se vendi i saj është gati për procesin e anëtarësimit në BE.
"Ne morëm një mesazh të qartë nga BE-ja se BeH-ja i përket Unionit. Të gjithë përfaqësuesit e BeH-së janë gati për procesin e anëtarësimit në BE. Jam shumë e kënaqur me transferimin", tha Krishto.
Prioritetet kryesore të BeH-së janë bashkimi me komunitetin politik dhe ekonomik të vendeve evropiane së bashku me anëtarësimin në NATO.
BeH-ja është kandidate potenciale për bllokun evropian që nga samiti i vitit 2003 i Këshillit Evropian, i mbajtur në Selanik të Greqisë.
Vendi zyrtarisht aplikoi për anëtarësim në BE në vitin 2016.
Statusi i kandidatit është hapi i parë në procesin afatgjatë të anëtarësimit të një vendi në BE.
Pasi një vendi i jepet statusi i kandidatit, fillojnë negociatat e anëtarësimit në faza, me kusht që të plotësohen të gjitha kriteret.