Fatjon Cuka
24 Qershor 2020•Përditësim: 24 Qershor 2020
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka reaguar në lidhje me aktakuzën për “krime lufte” ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në rrjetet sociale Meta ka shkruar se lufta e UÇK-së, që iu imponua popullit të Kosovës “nga shtypja dhe gjenocidi i regjimit kriminal të Millosheviqit, rezultoi se ishte e drejtë dhe vendimtare”, sipas tij, jo vetëm për lirinë dhe themelimin e Republikës së Kosovës në kufijtë e njohur ndërkombëtarisht, por edhe për paqen, stabilitetin dhe ardhmërinë e saj evropiane dhe të rajonit.
“Ne besojmë në pafajësinë e Presidentit Hashim Thaçi, ish-Kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, dhe të gjithë bashkëluftëtarëve të tyre. Edhe më parë janë ngritur akuza ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, por pafajësia e tyre dhe drejtësia e luftës është konfirmuar. Ne besojmë se kjo do të ndodhë përsëri”, ka shkruar Meta.
Kujtojmë se Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) i ka paraqitur Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) aktakuzë në të cilën presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentari Kadri Veseli dhe persona të tjerë akuzohen “për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte, ndër të cilat vrasje të paligjshme, zhdukje të detyruar të personave, përndjekje dhe tortura”.