Almir Terzic
01 Shtator 2021•Përditësim: 02 Shtator 2021
Bashkimi Evropian është një projekt i vlerave, prosperitetit dhe paqes, tha president i Këshillit Evropian, Charles Michel, në fjalimin e tij hyrës në Forumin Strategjik të Bledit, i cili po mbahet sot në Slloveni, raporton Anadolu Agency (AA).
"Filluam me gjashtë vende, sot jemi 27-të. BE-ja gjithmonë është pasuruar me të gjithë ata që dëshironin të bashkoheshin. Zgjerimi e ka avancuar Unionin dhe e ka sjellë atë këtu ku jemi sot", tha Michel.
"Nevojitet një autonomi më e madhe strategjike sepse dëshirojmë të forcojmë aleancat tona", tha ai.
"Bota është bërë gjithnjë e më shumë e ndërlidhur, por ne nuk duhet të bëhemi të varur nga askush. Ne duhet të forcojmë tregun tonë të përbashkët dhe të sigurojmë funksionimin e Bashkimit Evropian në të gjitha fushat", tha Michel.
Ai theksoi se është shumë i kënaqur që është sot në Bled, në Forumin Strategjik të Bledit, i cili është një ngjarje kyçe për debatin evropian mbi të ardhmen.
"Të qenit pjesë e BE-së nuk ka qenë kurrë vetëm mundësi ekonomike për ne. Ka qenë rikthim në një familje të bashkuar nga vlerat e respektimit të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore dhe demokracisë. Çdo gjë që na morën ose shkelën në Jugosllavinë komuniste", tha kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha, në fjalimin hyrës të Forumit Strategjik të Bledit.
Forumi Strategjik i Bledit tradicionalisht bashkon udhëheqës të rajonit dhe shteteve anëtare të BE-së si dhe përfaqësues të institucioneve evropiane.
Përveç zyrtarëve të Sllovenisë të udhëhequr nga presidenti i shtetit Borut Pahor, në forum marrin pjesë edhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel si dhe i dërguari special i BE-së për dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, Miroslav Lajçak.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev si dhe kryesuesi dhe anëtari i Presidencës së BeH-së, Zheljko Komshiç dhe Shefik Xhaferoviç, po marrin pjesë gjithashtu në Forumin Strategjik të Bledit.