Agim Sulaj
10 Dhjetor 2019•Përditësim: 10 Dhjetor 2019
Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, njëherësh zëvendëskryeministri i parë në detyrë, Behgjet Pacolli, ka dorëzuar mbi 10 mijë dokumente me fakte që dëshmojnë krimet serbe në Kosovë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas një njoftimi në profilin e tij në Facebook, Pacolli tha se një gjë e tillë është borxh ndaj viktimave të këtyre krimeve kundër njerëzimit, ndërsa tha se “mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë nëse ndriçojmë ditët e errëta të së kaluarës”.
“Detyra historike është të dokumentohen torturat, vrasjet, përdhunimet, dëbimet me forcë dhe krimet e tjera të luftës të kryera nga forcat e qeverisë serbe dhe jugosllave kundër shqiptarëve gjatë luftës së vitit 1998-1999. Kosova duhet të tregoj fushatën e koordinuar dhe sistematike për të terrorizuar, vrarë dhe dëbuar shqiptarët e Kosovës që u organizua nga nivelet më të larta të qeverive serbe dhe jugosllave në pushtet në atë kohë, që kishte rezultuar në shpërnguljen më të madhe të popullsisë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore”, shkroi Pacolli
Ai tha se krimet e Serbisë në Kosovë janë hetuar dhe dokumentuar nga prokurorë, policë, gazetarë, studiues të të drejtave të njeriut si dhe këto raste “tregojnë thellësinë e krimeve të luftës të kryera në Kosovë”.
“Kemi dorëzuar tek Prokuroria Kosovës mbi 10 mijë dokumente dhe fakte që dëshmojnë përgjegjësinë politike dhe individuale të krimeve të luftës të kryera në Kosovë nga Serbia. Mijëra dokumente që duhet të përpunohen nga prokurorët dhe të gjejnë individë përgjegjës për krimet e luftës në Kosovë”, tha ministri i jashtëm Pacolli.
Sipas tij, “këto dokumente janë siguruar nga burime të ndryshme përmes mënyrave ligjore për të siguruar mbështetje për prokurorët tanë”, duke shtuar se kjo mënyrë është e vetme “që Kosova ta mbajë të vërtetën gjallë dhe të sjell drejtësi”.
Për krimet e Serbisë në Kosovë sot ka folur edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i cili vizitoi Reçakun disa ditë pasi Masakra e Reçakut u quajt si trillim nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiq. Pas homazheve në kompleksin përkujtimor, Thaçi tha “Reçaku është pika kulminante e masakrave të Serbisë të kryera kundër popullatës shqiptare në Kosovë”.