Husamedin Gina
31 Gusht 2020•Përditësim: 01 Shtator 2020
Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, sot priti në takim kryeministrin Zoran Zaev dhe anëtarët e qeverisë së re, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryeministri Zaev pasi e njoftoi presidentin Pendarovski me përbërjen e re të qeverisë dhe programin e punës së qeverisë dha deklaratë për mediat.
Duke theksuar se gjatë zgjedhjeve i ka bindur partnerët e koalicionit se kanë argumente të fuqishme dhe të përbashkëta për t’u bashkuar si një koalicion multietnik “Mundemi”, Zaev tha se ky bashkim duhet të forcohet edhe më shumë me Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) dhe Partinë Demokratike Shqiptare (PDSH) në koalicion qeverisës.
“Në këtë mënyrë të bashkuar në diversitetet, bashkë shumë shpejtë për mandatin që është para nesh, e krijuam programin për punë të qeverisë për periudhën 2020-2024, që ofron zgjidhje për gjithë atë që është e rëndësishme për të gjithë qytetarët, për shtetin dhe për të ardhmen tonë të përbashkët”, tha Zaev.
Ai po ashtu theksoi se kjo Qeveri do të punojë maksimalisht e përkushtuar në problemet, fillimisht do të merret me masat ekonomike dhe pasojat nga koronavirusi, e më pas zbutjen e efekteve nga kriza shëndetësore COVID-19.
“Ekonomia e re maqedonase dhe rritja e shpejtë ekonomike janë në faqet e para të programit për punën e Qeverisë për mandatin 2020-2024”, tha Zaev duke shtuar se në tre vitet e kaluara në kohën e zgjidhjes së çështjeve më të mëdha të hapura në planin e jashtëm dhe të brendshëm treguam se mund të sigurojmë rritje të madhe ekonomike.
Sipas tij, qeveria e re ka plan për ekonomi inovative, stabile dhe konkuruese e gatshme t’u përgjigjet sfidave të reja dhe të ofrojë shans për secilin.
Zaev në deklaratën për mediat potencoi se gjatë 4 viteve të ardhshme do të hapin 80 për qind të kapitujve negociuese me BE-në ndërsa për 6 vite qëllimi është të mbyllen kapitujt me Unionin.