Furkan Abdula
05 Tetor 2021•Përditësim: 06 Tetor 2021
Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, në kuadër të vizitës zyrtare në Greqi, realizoi takim me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis në Athinë, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Në takimin bashkëfolësit shkëmbyen mendime për marrëdhëniet gjithëpërfshirëse bilaterale mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Greqisë, me ç’rast u vlerësua se vizita zyrtare në nivelin më të lartë shënon një moment të rëndësishëm në zhvillimin e marrëdhënieve midis dy shteteve”, theksohet në njoftimin e Kabinetit të Presidentit të Maqedonisë së Veriut.
Pendarovski vlerësoi se ekziston përmirësim i dukshëm të marrëdhënieve bilaterale mes dy shteteve pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës, me potencial për përforcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në çdo fushë me interes të ndërsjellë.
Në takim, Pendarovski theksoi se duhet të shfrytëzohet tërë potenciali dhe dy shtetet të ndërtojnë partneritet të vërtetë strategjik.
“Bashkëbiseduesit në takimin diskutuan mundësitë për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik dhe shprehën kënaqësinë me trendin e rritjes së shkëmbimit tregtar. Presidenti Pendarovski shprehu besimin se bashkëpunimi ekonomik duhet të jetë themeli i marrëdhënieve midis dy vendeve, duke pasur parasysh përfitimet për ekonomitë e të dyja palëve. Në këtë drejtim, u theksua nevoja për zhvillimin e mëtejshëm të lidhjes infrastrukturore midis dy vendeve”, theksohet në njoftim.
Pendarovski shprehu mirënjohje për mbështetjen e fortë që Greqia u jep aspiratave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian (BE), duke vlerësuar se zhbllokimi i procesit do të kontribuojë në stabilitetin dhe përparimin e gjithë rajonit.