Fatjon Cuka
11 Dhjetor 2023•Përditësim: 11 Dhjetor 2023
Në Tiranë është mbajtur një protestë në mbështetje të kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Alfred Beleri, i cili aktualisht ndodhet në paraburgim i akuzuar për veprën penale "korrupsioni aktiv në zgjedhje", raporton Anadolu.
Protesta është mbajtur para godinës së Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar të Shqipërisë, në kohën që mbahej seanca ndaj Belerit, i cili kërkon që gjykata të japë leje që ai të betohet si kryebashkiak.
Protesta është organizuar me thirrjen e organizatës Bashkimi Demokratik i Pakicës Kombëtare Greke në Shqipëri-ΟΜΟΝΟΙΑ, ndërsa pjesë e saj kanë qenë dhjetëra qytetarë të cilët kanë shprehur mbështetjen e tyre për Belerin.
Protestuesit kanë kërkuar që Beleri të lirohet nga paraburgimi dhe të kryejë betimin si kryebashkiak i Himarës.
Seanca e sotme ndaj Belerit është ndjekur edhe nga përfaqësues të Ambasadës së Greqisë në Shqipëri.
Pas përfundimit të hetimeve, çështja ndaj Belerit, i cili aktualisht ndodhet në paraburgim, ka kaluar për gjykim, ndërsa avokatët e Belerit pretendojnë se gjykata duhet të marrë vendim që Beleri të bëjë betimin si kryebashkiak.
Çështja ndaj Alfred Belerit
Më 12 maj, Policia e Shqipërisë arrestoi kandidatin e disa partive opozitare për kryetar të Bashkisë Himarë, në Qarkun e Vlorës, Alfred Beleri, së bashku me një person tjetër, të akuzuar për veprën penale "korrupsioni aktiv në zgjedhje".
Pas përfundimit të numërimit të votave pas zgjedhjeve vendore të 14 majit, Beleri rezultoi fitues. Sipas autoriteteve shqiptare, Beleri dyshohet për përfshirje në aktivitete të blerjes së votave.
Arrestimi i Belerit, i cili njihet si anëtar i minoritetit grek në Shqipëri, ka shkaktuar reagime të partive politike dhe të zyrtarëve të institucioneve të ndryshme në Shqipëri dhe në Greqi.