Husamedin Gina
17 Dhjetor 2019•Përditësim: 18 Dhjetor 2019
Nën moton “Ndal dhunës së punëtorëve seksualë”, në Shkup është mbajtur marshi i “çadrave të kuqe” me rastin e 17 Dhjetorit - Ditës ndërkombëtare kundër dhunës së punëtorëve seksualë, raporton Anadolu Agency (AA).
Rreth 100 pjesëmarrës në marshin e “çadrave të kuqe”, të organizuar nga nisma qytetare për mbrojtje, promovim dhe përmirësim të të drejtave të punëtorëve seksualë “Star-Star”, u tubuan në qendër dhe marshuan rrugëve të qytetit.
Punëtorët seksualë me çadra të kuqe porositën që të ndalet dhuna ndaj tyre dhe theksuan se ende nuk ka ndonjë ndryshim në shoqëri në lidhje me të drejtat e tyre.
“Ne kemi të drejtë të punojmë pa frikë dhe të jemi të mbrojtur nga dhuna, ngacmimi dhe shfrytëzimi. Ne meritojmë kushte të sigurta të punës dhe të gëzojmë të drejtat tona të punës”, tha një pjesëmarrëse në marsh.
Nisma qytetare "Star-Star" bëri të ditur se në vitin 2018 u regjistruan 100 raste të dhunës ndaj punëtorëve seksualë, nga të cilat 34 raste të dhunës në familje, gjë që sipas saj, tregon se punëtorët seksualë nuk janë të sigurtë edhe në shtëpi.
Sipas tyre, në vitin 2019 rastet e dokumentuara janë më të vogla, por jo shkaku i ndryshimeve pozitive në shoqëri, por për faktin se punëtorët seksualë janë dekurajuar dhe nuk kanë besim në institucione.
Kujtojmë se ky është marshi i 12-të i “çadrave të kuqe” që mbahet tradicionalisht në Shkup, ku punëtorët seksualë kërkojnë mosmargjinalizimin e tyre.