Fatjon Cuka
02 Maj 2020•Përditësim: 02 Maj 2020
Në Shqipëri rritet në 789 numri i përgjithshëm i rasteve me koronavirusin e ri (COVID-19) me konfirmimin edhe të 7 rasteve të reja, ndërsa vazhdon të rritet numri i të shëruarve, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 171 persona të dyshuar me COVID-19.
“Që nga fillimi e deri më sot janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në gjithë vendin 789 qytetarë. Prej tyre janë 519 të shëruar. Duke parë të dhënat, momentalisht situata epidemiologjike në vend paraqitet e qëndrueshme. Kalimi i zonave aktive në zona joaktive për COVID-19 ka zgjeruar hartën e të shëruarve në gjithë vendin”, thuhet në njoftim.
Sipas ministrisë, aktualisht në Shqipëri janë 239 pacientë aktivë me COVID-19 dhe pjesa më e madhe prej tyre po ndiqen nga mjeku i familjes ose janë asimptomatikë.
Kujtojmë se deri tani 31 persona në Shqipëri kanë humbur jetën nga COVID-19.
Në Shqipëri për shkak të COVID-19 është shpallur gjendja e fatkeqësisë natyrore, ndërsa vazhdojnë masat si mbyllja e institucioneve arsimore, ndalimi i hyrjeve me vendet fqinje për udhëtarët, pezullimi i fluturimeve, pezullimi i transportit urban dhe kufizimi i lëvizjes së qytetarëve.
Institucionet kanë filluar lehtësimin për disa nga masat kufizuese, ndërsa disa kategori e bizneseve kanë filluar që të ushtrojnë aktivitetet e tyre. Në vijim të strategjisë së rihapjes graduale prej datës 11 maj do të lehtësohen në aktivitetet e tyre një grup tjetër biznesesh.