Fatjon Cuka
28 Nëntor 2019•Përditësim: 28 Nëntor 2019
Shqipëria shënon sot 107-vjetorin e Pavarësisë që njëkohësisht festohet edhe si Dita e Flamurit, që është festë zyrtare, ndërsa për shkak të tërmetit që goditi vendin janë anuluar disa ceremoni dhe pritje zyrtare, transmeton Anadolu Agency (AA).
Me rastin e këtij përvjetori, në qytetin e Vlorës është organizuar ceremonia solemne, me pjesëmarrjen e presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta, kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi.
"Flamuri Kombëtar u ngrit në mënyrë ceremoniale në Sheshin e Flamurit, në praninë e presidentit të Republikës, kryetarit të Kuvendit dhe kryeministrit, ku u mbajt edhe një minutë heshtje në nderim të jetëve të humbura nga tërmeti që goditi vendin", thuhet në njoftimin e Presidencës së Shqipërisë.
Meta në një prononcim për mediat është shprehur se: "Sot nuk është një ditë për t’u festuar, por është dita për të nderuar Flamurin tonë Kombëtar, Ditën e Pavarësisë dhe të krijimit të shtetit tonë".
"Nderimi më i mirë që mund t’i bëjmë këtij 28 Nëntori dhe të gjithë sakrificave të etërve të Pavarësisë sonë, që kaluan sprova shumë herë më të rënda dhe më të vështira, për të garantuar mbijetesën e kombit dhe ndërtimin e shtetit, është që të vazhdojmë të angazhohemi për të shëruar sa më parë të jetë e mundur plagët e gjithë atyre familjeve që janë dëmtuar në një mënyrë të jashtëzakonshme nga tërmeti", ka theksuar presidenti Meta.
Kujtojmë se Shqipëria më 28 nëntor shënon përvjetorin e pavarësisë së vendit dhe Ditën e Flamurit. Për shkak të tërmetit që goditi vendin më 26 nëntor dhe që shkaktoi vdekjen e dhjetëra personave dhe plagosjen e qindrave të tjerëve, presidenti Meta ka anuluar pritjen shtetërore me rastin e Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë.