Elena Teslova
10 Dhjetor 2019•Përditësim: 10 Dhjetor 2019
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka bërë të ditur se presidenti rus, Vlladimir Putin dhe homologu i tij turk, Recep Tayyip Erdoğan, në ditët e ardhshme do të zhvillojnë një bisedë telefonike për të diskutuar situatën në Libi, raporton Anadolu Agency (AA).
Peskov gazetarëve në kryeqytetin Moskë u tha se Rusia është në kontakt me të gjitha palët e konfliktit libian dhe qëndron për zgjidhjen paqësore të këtij konflikti në vend.
“Në ditët e ardhshme, do të zhvillohet një bisedë e tillë telefonike. Ajo po përgatitet. Rusia ruan marrëdhëniet me të gjitha palët brenda skenës ushtarako-politike euroaziane dhe para së gjithash mbështet që palët në konflikt të arrijnë një marrëveshje. Dhe, Rusia mirëpret të gjitha nismat që mund të kontribuojnë për një zgjidhje në këtë vend”, deklaroi Peskov.
Presidenti Erdoğan dje në një intervistë televizive njoftoi se do të diskutojë situatën në Libi me homologun e tij rus. Ai tha se shpreson që homologu i tij rus të rishqyrtonte mbështetjen për komandantin ushtarak Khalifa Haftar.
Që nga viti 2011, kur sundimtari Muammar Gaddafi u rrëzua dhe u vra, në Libi u shfaqën dy seli rivale të pushtetit, njëra në Libinë lindore të cilës i është bashkuar komandanti ushtarak Khalifa Haftar dhe tjetra Qeveria e Pajtimit Kombëtar (GNA) e cila gëzon njohjen e Kombeve të Bashkuara (OKB).