Sarp Özer
20 Dhjetor 2018•Përditësim: 20 Dhjetor 2018
DOHA (AA) - Ministri i Mbrojtjes të Republikës së Turqisë, Hulusi Akar, tha se forcat e armatosura të vendit do të heqin të gjitha elementet terroriste edhe në pjesën lindore të Eufratit dhe se askush nuk duhet të dyshojë në këtë, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjatë një vizite zyrtare, Akar në Katar vizitoi bazën ushtarake turke dhe në adresimin e tij para ushtarëve, njoftoi vazhdimësinë dhe intensifikimin e bashkëpunimit ushtarak turko-katarian.
Duke theksuar se Turqia ndodhet në një rajon të rrethuar me probleme, Akar tha se forcat turke do të ruajnë unitetin, integritetin dhe sovranitetin e vendit dhe në një kohë të afërt do të shkatërrojnë plotësisht terroristët dhe të zgjidhin këtë problem.
Duke rikujtuar se Forcat e Armatosura të Turqisë edhe më parë kanë kryer operacionet e suksesshme "Dega e Ullirit" dhe "Mburoja e Eufratit" në perëndim të shtratit të lumit Eufrat në veri të Sirisë, Akar tha se këto operacione janë kryer kundër terroristëve të YPG/PKK-së dhe DEASH-it dhe në përputhje me të gjitha normat ndërkombëtare për mbrojtjen e civilëve.
"Tani dëgjojmë se si terroristët gërmojnë llogore, tunele dhe bunkerë në Munbixh, në bregun lindor të Eufratit. Le të gërmojnë çfarëdo dhe sa të duan. Kur të vijë koha, të gjithë do të varrosen në këto llogore. Askush të mos dyshojë", tha Akar.
Duke treguar për kërcënimin që vjen nga terroristët e PKK-së në veri të Irakut, Akar tha se forcat turke kanë kryer operacione ajrore në malin Sinxhar dhe shtoi se nuk do të lejojnë që sipas modelit të malit Kandil, ky mal të bëhet si djep i ri i organizatës terroriste PKK.