Ekip
22 Shkurt 2023•Përditësim: 23 Shkurt 2023
Vendimi i Rusisë për të pezulluar traktatin për reduktimin e armëve bërthamore me SHBA-në ishte një “gabim i madh”, tha presidenti amerikan Joe Biden në një takim në Varshavë sot, transmeton Anadolu.
Kjo ishte përgjigja me dy fjalë e Bidenit kur u pyet nga një gazetar për mendimin e tij për largimin e presidentit rus Vladimir Putin nga traktati “New START”.
Presidenti rus Putin të martën pezulloi pjesëmarrjen e Moskës në traktatin e armëve New START, pakt për kontrollin e armëve bërthamore që angazhon të dy vendet të kufizojnë rezervat e kokave bërthamore.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken të martën e quajti vendimin e Rusisë “thellësisht fatkeq dhe të papërgjegjshëm”.
Gjithashtu në takimin e Varshavës, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se masa tregon se “e gjithë arkitektura e kontrollit të armëve është çmontuar”.
Stoltenberg tha se Ukraina duhet “të marrë ndihmën që i nevojitet” dhe Rusia nuk mund të lejohet të dobësojë sigurinë evropiane.
“Ne duhet të mbështesim dhe të rrisim mbështetjen tonë për Ukrainën”, tha Stoltenberg në takimin e Varshavës.
“Ne kemi parë modelin rus të agresionit për shumë vite, Gjeorgjinë në 2008, Krimenë dhe Donbasin në 2014 dhe më pas pushtimin e plotë të Ukrainës vitin e kaluar”, tha Stoltenberg.
“Ne duhet të thyejmë ciklin e agresionit rus”, theksoi Stoltenberg.