Handan Kazancı
09 Dhjetor 2018•Përditësim: 10 Dhjetor 2018
PARIS (AA) - Në protestat e së shtunës të “jelekëve të verdhë” anembanë Francës kanë marrë pjesë 136 mijë persona, ndërsa nga incidentet e ndodhura janë arrestuar 1220 persona, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas të dhënave të Ministrisë franceze të Brendshme, në protestat e djeshme të “jelekëve të verdhë” në mbarë vendin kanë marrë pjesë 136 mijë persona. Gjatë protestave janë kapur 1723 persona, prej tyre 1220 janë arrestuar.
Të shtunën, protestuesit që mbanin jelekë të verdhë, u mblodhën përgjatë rrugës së famshme të kryeqytetit francez Champs-Elysees, ku dhuna e mëparshme detyroi dyqanet, restorantet dhe bankat të mbyllen të shtunën.
Edhe gjatë ditës së djeshme, policia franceze përdori gaz lotsjellës kundër protestuesve përgjatë Champs-Elysees.
Protestat që filluan në Francë më 17 nëntor si reagim ndaj rritjes së çmimit të karburanteve dhe përkeqësimit të kushteve ekonomike, u kthyen në protestat më të dhunshme në vitet e fundit.
Protestuesit, të cilët përbëhen nga njerëz që banojnë kryesisht në zonat periferike për shkak të çmimeve të shtrenjta, kërkojnë nga presidenti francez, Emmanuel Macron, të ul taksat dhe të përmirësojë kushtet ekonomike.
Më herët u njoftua anulimi i rritjes së çmimeve të karburanteve për vitin 2019.