Ayhan Mehmet
21 Nëntor 2019•Përditësim: 22 Nëntor 2019
Numri i fëmijëve refugjatë të pashoqëruar në Greqi ka arritur në 4.962 dhe shumica e këtyre fëmijëve vazhdojnë jetën në kushte të "papërshtatshme", transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas Qendrës për Solidaritet Social të Greqisë, numri i fëmijëve të pashoqëruar është rritur në 4.962 dhe tre e katërta e këtyre fëmijëve jetojnë në kampe jo të përshtatshme.
Në shtypin grek theksohet se mangësitë kryesore në kampe janë: qasja në ushqim dhe ujin e pastër, pamjaftueshmëri e mbështetjes shtetërore dhe rregulloret ligjore lidhur me situatën e fëmijëve, përkeqësimi gjithnjë e më i madh i situatës me fëmijët e pashoqëruar refugjatë.
Mjeku Apostolos Veizis i cili punon si vullnetar nën çatinë e organizatës Mjekët pa Kufi (MSF), e ka vlerësuar si "krim" situatën e përjetuar në ishuj.
Ai tha se se çdo ditë interesohen për rreth 100 fëmijë, ku më shumë se gjysma e fëmijëve që jetojnë në kampe përballen me probleme të lëkurës dhe rrugëve të frymëmarrjes të cilat burojnë nga kushtet e papërshtatshme.
Dimitra Linardaki, avokatja e organizatës së shoqërisë civile greke "Arsis", tha se 99 fëmijë refugjatë të pashoqëruar mbahen në kampin e mbyllur të refugjatëve Amigdaleza. "Disa fëmijë flenë për një kohë prej 50 ditësh mbi dysheme në çimento. Kjo është një situatë më shumë se poshtëruese dhe çnjerëzore", tha ajo.
Nga ana tjetër, drejtori i organizatës "Amnesty International" për Greqinë, Gavriil Sakelaridis tha se në të gjithë vendin janë të zhdukur 1.200 fëmijë refugjatë të pashoqëruar.
"Pika më shokuese është se janë të zhdukur 1.200 fëmijë refugjatë, siguria e të cilëve është në rrezik çdo moment. Nuk dihet se ku janë ata", tha Sakelaridis.