Arife Yıldız Ünal
13 Nëntor 2018•Përditësim: 13 Nëntor 2018
ANKARA (AA) - Kompania turke e mbrojtjes dhe aviacionit TUSAŞ do të promovojë helikopterin e saj T625 në një shfaqje ajrore ndërkombëtare në Bahrein këtë javë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas një njoftimi të kompanisë, Helikopteri T625 për Qëllime të Përgjithshme, i cili kreu fluturimin e parë në muajin shtator, do të jetë pjesë e Bahrain International Airshow i cili do të mbahet mes datave 14-16 nëntor.
TUSAŞ do të marrë pjesë për herë të tretë në këtë shfaqje, e cila cilësohet si një nga panairët më të rëndësishëm të rajonit të Gjirit. Kompania e ka cilësuar aktivitetin si një hap të rëndësishëm për t'u shndërruar në markë dhe për ta konkretizuar veprimtarinë e saj.
Ndryshe, helikopteri T625, i cili bëri fluturimin e parë më 6 shtator, është projektuar me avionikë të avancuar për performancë superiore dhe cilësi të përdorimit, duke marrë parasysh kërkesat e ardhshme operacionale, ndërsa do të prodhohet tërësisht me mundësi vendase.
Me një hapësirë të madhe të kabinës dhe kapacitet të lartë të ngarkesës, T625 mund të konfigurohet lehtë për ekzekutimin e profileve të ndryshme të detyrave nga ana e përdoruesve civilë dhe ushtarakë në mbarë botën.