Betül Yürük
21 Tetor 2017•Përditësim: 22 Tetor 2017
KOMBET E BASHKUARA (AA) - Organizata Human Rights Watch (HRW) i ka bërë thirrje Rusisë që të mos vendosë veton ndaj projektrezolutës për zgjatjen e afatit të misionit të Kombeve të Bashkuara (OKB), i cili hetoi përdorimin e armëve kimike në Siri, transmeton Anadolu Agency (AA).
Afati i Misionit të Përbashkët Hetimor (JIM), i krijuar nga OKB dhe Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike përfundon më 17 nëntor.
Në deklaratën e publikuar nga Organizata, Rusisë i është bërë thirrje që të mos pengojë vazhdimin e hetimit rreth përdorimit të armëve kimike në Siri.
"Raporti i muajit tetor i JIM është rezultat i një kërkese për hetim të paanshëm të kërkuar nga Rusia. Nëse do të ndaloni një hetimi rezultatet e të cilit nuk ju pëlqejnë, nuk ka asnjë kuptim thirrja për një hetim të pavarur", thuhet ndër të tjera në deklaratë.
Projektrezoluta, e cila bën thirrje për zgjatjen e mandatit të misionit të OKB-së, u paraqit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ndërsa Rusia, e cila kritikon "se nuk janë të paanshme" raportet e mëparshme të misionit të OKB-së që hetoi përdorimin e armëve kimike në Siri, ka bërë të ditur se do të vendosë nëse do të mbështesë apo jo zgjatjen e mandatit të JIM, pasi të ketë parë raportin përfundimtar.
JIM më 26 tetor do t'i paraqesë KS të OKB-së një raport mbi përdorimin e supozuar të armëve kimike në sulmin e kryer më 4 prill në Han Shejhun në Idlib.
Misioni i OKB-së JIM u krijua në vitin 2015 për të identifikuar palët që përdorin armë kimike në Siri.