Ekip
19 Shkurt 2019•Përditësim: 19 Shkurt 2019
SANA (AA) - Qeveria e Jemenit ka rënë dakord me kusht për planin e Kombeve të Bashkuara (OKB) për rivendosjen e trupave nga krahina bregdetare Al-Hudaydah, raporton Anadolu Agency (AA).
Dje, OKB tha se gjatë dy ditëve të bisedimeve në Al-Hudaydah, përfaqësuesit e rivalëve ndërluftues të Jemenit bënë “përparim të rëndësishëm” në rivendosjen e forcave.
OKB tha se palët, respektivisht forcat qeveritare dhe grupi i rebelëve Houthi, arritën një marrëveshje mbi fazën e parë të rivendosjes së ndërsjellë të forcave në krahinë. Të dy palët, po ashtu kanë rënë dakord, në parim, mbi fazën e dytë të vendosjes së ndërsjellë, “në pritje të konsultimeve shtesë brenda udhëheqjes së tyre përkatëse”.
Por, një zyrtar i qeverisë në Komitetin e Koordinimit të Rivendosjes (RCC) tha se përfaqësuesit e qeverisë kanë dhënë një miratim të kushtëzuar të planit.
Duke folur në kushtet e anonimitetit, zyrtari tha se qeveria dëshiron që marrëveshja të nënshkruhet si një paketë, duke përfshirë tërheqjen e rebelëve Houthi nga qyteti.
Më 13 dhjetor, bisedimet e paqes së Jemenit të zhvilluara në Suedi midis qeverisë së Jemenit dhe grupit Houthi përfunduan me një marrëveshje armëpushimi në Al-Hudaydah.
Megjithatë, palët ndërluftuese nuk kanë arritur të tërhiqen nga krahina mes akuzave për shkelje të marrëveshjes.Jemeni është shkatërruar nga dhuna që nga viti 2014, kur grupi shia i Houthit pushtoi pjesën më të madhe të vendit, ndërsa kriza u përshkallëzua në vitin 2015 kur koalicioni i udhëhequr saudit nisi një fushatë shkatërruese ajrore që synonte të kthej fitimet e rebelëve Houthi.