Sayed Khodaberdi Sadat
18 Dhjetor 2019•Përditësim: 18 Dhjetor 2019
I dërguari special i SHBA-ve për Afganistan, Zalmay Khalilzad, është takuar me presidentin e Afganistanit, Ashraf Ghani, të cilin e njoftoi për bisedimet paqësore në vazhdim mes delegacionit amerikan dhe talebanëve në Doha, raporton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësi i zyrës së presidentit Ghani, Siddik Siddiki, tha se të dërguarit të SHBA-ve i është thënë se populli i Afganistanit dëshiron paqe dhe prosperitet të qëndrueshëm ndërsa kishte frikë nga sulmet e talebanëve.
Afganistani është skena e një krize të thellë disa dekadëshe politike dhe të sigurisë, e cila reflektohet në luftën për mbizotërim midis lëvizjes talebane dhe forcave qeveritare.
Delegacioni i SHBA-ve dhe talebanët filluan bisedimet e paqes dhjetorin e kaluar në Doha. Delegacionet ishin afër arritjes së një marrëveshjeje në fillim të shtatorit, por negociatat u pezulluan për shkak të një sulmi në Kabul që vrau një ushtar amerikan.
Kohëve të fundit ka rifilluar procesi i negociatave, por javën e kaluar pati një pezullim tjetër, përsëri për shkak të sulmit në Kabul, për të cilin lëvizja talebane mori përgjegjësinë.
Vetëm në gjysmën e parë të këtij viti, të paktën 3.812 njerëz pësuan në Afganistan, prej të cilëve 1.366 të vrarë dhe 2.446 të plagosur.