Riyaz Ul Khaliq
28 Qershor 2021•Përditësim: 29 Qershor 2021
Kolumnisti editorial i gazetës "Apple Daily", e cila u mbyll kohët e fundit në Hong Kong, është arrestuar, njoftuan mediat lokale, transmeton Anadolu Agency (AA).
Fung Wai-kong, 57 vjeç, u ndalua nga policia në aeroport të dielën mbrëma ndërsa besohej se do të nisej për në Britani, sipas të përditshmes "South China Morning Post".
Ai është nën hetime me akuzën për "bashkëpunim me forcat e huaja", sipas së përditshmes.
Gazeta prodemokratike u mbyll javën e kaluar pas presionit të fuqishëm të qeverisë, kurse disa nga drejtuesit e saj u arrestuan kohët e fundit dhe pasuritë e saj u ngrinë sipas ligjit të diskutueshëm të sigurisë kombëtare të Hong Kongut.
Pesë drejtues të "Apple Daily" u arrestuan të enjten e kaluar me akuza të ngjashme për "bashkëpunim me të huaj".
Gazeta ishte në pronësi të magnatit të medias Jimmy Lai, i cili është burgosur që nga viti i kaluar me akuza të shumta sipas ligjit të sigurisë kombëtare.
Të paktën 144 persona janë arrestuar që kur Kina vendosi ligjin në rajonin gjysmautonom korrikun e kaluar.
Ndërkohë, një tjetër portal i mediave me qendër në Hong Kong, "Stand News", ka njoftuar gjithashtu se "do të heqë shumicën e komenteve të saj dhe do të ndalojë mbledhjen e fondeve".