Kemal Karagöz,Halit Süleyman
18 Shkurt 2017•Përditësim: 18 Shkurt 2017
HALEP (AA) – Pjesëtarët e Ushtrisë së Lirë Siriane (ULS) kanë një plan në luftën kundër organizatës terroriste DEASH në Al-Bab, i cili nëse del i suksesshëm, qyteti do të çlirohet brenda disa ditësh, raporton Anadolu Agency (AA).
Në kuadër të ofensivës "Mburoja e Eufratit", e cila po realizohet nga ULS dhe pjesëtarët e Forcave të Armatosura Turke (TSK), po vazhdojnë operacionet për spastrimin e Al-Bab-it, ku në pjesë më të madhe është vendosur kontrolli.
Komandanti i ULS-së, Halid Ibrahim thekson se është arritur progres në pjesët veriore, perëndimore dhe jugperëndimore të qytetit. Në jugperëndim kanë ardhur deri te xhamia Zemzem, kurse Ibrahim shton se pjesëtarët e ULS-së me mbështetjen e TSK-së kanë bërë progres në jugperëndim, ku po zhvillohen konflikte.
Ibrahim thotë se kanë një plan për të marrë plotësisht Al-Bab-in. "Nëse plani del i suksesshëm, brenda disa ditësh Al-Bab do të çlirohet dhe do të spastrohet nga organizata terroriste. Arsyeja më e madhe pse deri më tani nuk është çliruar nga DEASH-i është se ata kanë vendosur eksploziv dhe mina në rrugë dhe shtëpi", shpjegon Ibrahim.
Ai shtoi që edhe pozitat ku ndodhen njësitet e ULS-së shpesh janë cak i bombardimeve dhe sulmeve me snajper.
Ajo që edhe më tej ngadalëson avancimi, shton Ibrahim, është fakti se pjesëtarët e organizatës terroriste DEASH përdorin civilët si "mburojë njerëzore".
"Ne duam me humbje minimale civile të çlirojmë Al-Bab-in nga organizata terroriste. Ne i japim rëndësi të madhe faktit që civilët të mos pësojnë dëme", tha Ibrahim.
Nga 24 gushti i vitit 2016, dita kur është nisur ofensiva "Mburoja e Eufratit", nga organizata terroriste DEASH dhe PYD/PKK janë çliruar 1,927 kilometra katrorë.