Ekip
10 Dhjetor 2020•Përditësim: 11 Dhjetor 2020
Vazhdimi i qeverisë kalimtare të udhëhequr nga ushtria dhe prania e forcave të huaja është bërë një temë e një debati të nxehur në kombin e Afrikës Perëndimore, Mali, përderisa vendi vazhdon të përballet me terrorizmin dhe paqëndrueshmërinë politike, raporton Anadolu Agency (AA).
Disa muaj më parë, sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, bëri thirrje për mbështetje të vazhdueshme ndërkombëtare përderisa vendi me dalje në det vazhdon të përballet me pengesa të shumta.
Që nga 18 gushti, kur ushtria rrëzoi presidentin Ibrahim Boubacar Keita, qeveria kalimtare kryesisht përbëhet nga oficerë ushtarakë. Katër ministri kryesore dhe Këshilli Kombëtar i Përkohshëm, i cili vepron si një organ legjislativ po ashtu drejtohet nga oficerë të ushtrisë.
"Që nga fillimi, gatishmëria e ushtrisë për të kontrolluar të gjithë procesin me zgjedhjen e një ish-oficeri ushtarak si president të qeverisë kalimtare demonstron në më shumë se një mënyrë qëllimin e tyre, i cili është kundërshtuar nga Komuniteti Ekonomik i Shteteve të Afrikës Perëndimore (ECOWAS)", tha Seyni Cisse Diop, një ekspert i çështjeve të sigurisë dhe ish-oficer ushtarak senegalez.
Duke vendosur dyshime mbi qëllimet e ushtrisë, strategu politik i Zimbabve, Justice Simango, tha se ai ka një dyshim nëse ushtria dëshiron thjesht të ndryshojë qeverisë ose të caktojë një person të zgjedhur prej tyre si udhëheqës.
"Nuk është për t'u habitur që ECOWAS ka dënuar grusht shtetin në Mali. Veprime të ngjashme ushtarake, me qëllime të ngjashme, kanë ndodhur në vendet e Afrikës Perëndimore dhe ata nuk e kanë mbajtur premtimin", tha Simango.
Sipas tij, jo vetëm në Mali, por edhe në të gjitha vendet afrikane politika duhet të de-militarizohet dhe ushtarët duhet të qëndrojnë në kazerma.
Simango tha se grusht shtetet ushtarake minojnë demokracinë dhe ndikojnë fuqishëm në stabilitetin politiko-ekonomik dhe në sigurinë e vendit.
Kërcënimi terrorist në rritje
Më tej, për shkak të kërcënimit terrorist bëhet edhe më e rëndësishme për ushtrinë që të përballet me kërcënimin sesa të mbetet e përqendruar në kryeqytetin Bamako.
"Kërcënimi i terrorit po rritet gjithnjë e më shumë në një territor të gjerë që është vështirë për t'u kontrolluar. Veçanërisht kur aparati i sigurisë është më shumë i vendosur në qendër. Vendi ka parë sulmet e fundit në Kidal, Menaka dhe Gao, që do të thotë se i gjithë territori i Malit është i prekur nga kërcënimi", tha Diop.
Duke iu përgjigjur thirrjes së sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, së fundmi 300 ushtarë britanikë mbërritën në Mali për të siguruar vendin. Tashmë ekziston një Mision i Stabilizimit Shumëdimensional i Integruar i OKB-së në Mali (MINUSMA). Forcat franceze po ashtu janë të angazhuara në operacionin Barkhane në Afrikën Perëndimore.
Përderisa mirëpriti këtë ndihmë ushtarake për t'u përballur me kërcënimet terroriste, tha Diop, në fund të fundit duhet të merret parasysh se këta ndërmjetës nuk janë miq, por kanë interesat e tyre.
"Afërsia e rajonit Kidal në Mali me atë Arlit në Nigeri shpjegon lehtësisht interesat energjetike të Francës në këtë vend. Dhe ushtarët e rinj që mbërrijnë po kërkojnë me vetëdije për mallra, energji dhe gjëra të tjera. Ata kërkojnë të ushqehen vetë me pretekstin e ndihmës", tha eksperti i çështjeve të sigurisë.
Roli i ushtrisë franceze
Siç thotë Simango, prania e ushtrisë franceze në Mali nuk kontribuon në stabilitetin politik dhe ekonomik të vendit. Ai po ashtu fajësoi forcat e huaja për bashkëpunimin në grusht shtetin ushtarak.
"Nevojitet kohë për të orkestruar një grusht shtet ushtarak, ne e kemi parë atë në Zimbabve dhe Nigeri, ku grusht shtetet ushtarakë janë planifikuar për vite para se të zbatoheshin me sukses", u shpreh Simango.
Ai tha se vendi ka nevojë për një qeveri civile dhe rivendosjen e proceseve demokratike së bashku me një ripërcaktim të rolit të ushtrisë, forcave të jashtme dhe përfshirjes së shoqërisë civile.
Strategu politik po ashtu rekomandoi se Mali duhet të hartojë urgjentisht një udhërrëfyes strategjik për të planifikuar transformimin politik dhe ekonomik dhe të fillonte një dialog të fuqizuar nga ECOWAS për të nxjerrë udhëheqës kompentë.
Diop kërkoi për të eksploruar më shumë partnerë strategjikë, të cilët janë të sinqertë dhe ndihmojnë vendin në transformimin e tij.