Emre Gürkan Abay
24 Gusht 2018•Përditësim: 24 Gusht 2018
MOSKOVA (AA) - Ministri i Jashtëm i Turqisë Mevlüt Çavuşoğlu tha se marrëdhëniet e mira mes Rusisë dhe Turqisë kanë rëndësi të madhe për stabilitetin e rajonit, raporton Anadolu Agency (AA).
Çavuşoğlu arriti në Moskë për të marrë pjesë në një mbledhje me homologun rus Sergey Lavrov në të cilën do të diskutohet kriza e Sirisë dhe marrëdhëniet dypalëshe.
Duke folur para gazetarëve para takimit, shefi i diplomacisë turke theksoi se marrëdhëniet mes dy vendeve janë duke u forcuar çdo ditë e më shumë.
"Marrëdhëniet mes vendeve tona kanë rëndësi të madhe për stabilitetin e rajonit. Në ditët në vijim do të ketë kontakte mes liderëve tanë. Samitin në formatin e Soçit do ta realizojmë në Teheran", tha Çavuşoğlu.
Po ashtu, edhe ministri rus Lavrov tha se marrëdhëniet mes Rusisë dhe Turqisë vazhdojnë të zhvillohen me sukses në çdo fushë.
"Ne i japim rëndësi të madhe bashkëpunimit që kemi me Turqinë në çështjet ndërkombëtare. Gjithashtu, edhe bashkëpunim teknik ushtarak mes Turqisë dhe Rusisë është duke u zhvilluar në mënyrë tejet intensive", u shpreh Lavrov.