Sinan Uslu
22 Qershor 2017•Përditësim: 23 Qershor 2017
ANKARA (AA) - Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, i ka dërguar letër ministrit turk të Mbrojtjes, Fikri Işık, lidhur me pajisjet dhe furnizimet luftarake që SHBA i ka dorëzuar organizatës terroriste YPG, mësohet nga burime të Ministrisë Turke të Mbrojtjes, transmeton Anadolu Agency (AA).
Përmes letrës së dërguar, Mattis ka theksuar se janë duke u ruajtur argumentet fotografike dhe pamjet vizuale të të gjitha pajisjeve të ofruara dhe se armët do të merren mbrapa pas mposhtjes së organizatës terroriste DEASH.
Në letër, Mattis ka rikujtuar se edhe më parë janë shprehur se kanë marrëdhënie me Forcat Demokratike të Sirisë (FDS), ku bën pjesë YPG, dhe se janë në gatishmëri për të treguar transparencë në marrëdhëniet e tyre. Ai edhe një herë ka riafirmuar garancinë e tij për të siguruar transparencë.
Po ashtu, Mattis ka theksuar se marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Turqisë janë strategjikë dhe më tepër sesa vetëm mposhtja e organizatës terroriste DEASH.
Ai është shprehur më tej se kanë marrë masa intensive dhe të qëndrueshme lidhur me shqetësimet e prezantuara nga ministri turk Işık lidhur me sigurinë e Turqisë dhe se çdo muaj në bazë të rregullt me Turqinë do të ndahen listat e furnizimeve që i dorëzohen organizatës terroriste YPG.
Mattis ka rikujtuar se raporti i parë i inventarit i është dorëzuar Turqisë këtë muaj. Sipas tij, me furnizimet që i janë dorëzuar organizatës terroriste YPG në fund të muajit maj është synuar izolimi dhe marrja nën kontroll e Rakkas.
Siç ka njoftuar Mattis, SHBA ka angazhuar në terren këshilltarë amerikanë në mënyrë për t'u siguruar që armët e shpërndarë të ngelin vetëm brenda territorit të Sirisë.
Ai ka garantuar se në mënyrë të rregullt do të ndahet çdo lloj informacioni me Turqinë, duke shtuar se 80 për qind e forcave që do ta marrin kontrollin e Rakkas do të përbëhen nga arabë, të cilët, sipas tij, po ashtu edhe do ta mbajnë kontrollin e qytetit.
Mattis ka thënë se bashkëpunimi i tyre me YPG-në është i detyruar në mënyrë që të mposhtin organizatën terroriste DEASH. Në letër, Mattis ka shprehu dëshirë të madhe të takohet edhe një herë kokë më kokë me homologun turk Işık javën e ardhshme në Bruksel.
Ndryshe, furnizimi me pajisje luftarake që SHBA-të i ofrojnë YPG-së ka shkaktuar shqetësimin e Turqisë. SHBA-të dëshirojnë që militantët e organizatës të jenë të përfshirë në luftën kundër DEASH-it, ndërsa Turqia paralajmëron se ajo është degë e organizatës terroriste PKK në Siri dhe se të gjitha armët dhe pajisjet ushtarake në duart e këtyre terroristëve përbëjnë kërcënim për sigurinë e Turqisë.