Ekip
17 Prill 2018•Përditësim: 17 Prill 2018
ANGON (AA) – Presidenti i sapozgjedhur i Mianmarit sot liroi më shumë se 8.500 të burgosur si pjesë e një amnistie të shpallur gjatë festimeve tradicionale të Vitit të Ri, raporton Anadolu Agency (AA).
Amnistia, e cila u njoftua me një deklaratë nga Zyra e Presidentit Win Myint, iu dha 8.490 shtetasve të Mianmarit dhe 51 të huajve.
Në deklaratë thuhet se hapi është marrë "për të sjellë paqe dhe pajtim, dhe për hir të mbështetjes humanitare".
Amnistia përfshin 36 persona të cilët u regjistruan si të burgosur politikë nga Shoqata e Ndihmës për të Burgosurit Politikë (AAPP-Burma), e cila është e vendosur në Tajlandë.
"Ne e mirëpresim këtë veprim. Është një fillim i mirë për presidentin e ri, " tha bashkë-themeluesi i AAPP, Bo Kyi, për AA.
Jo të gjithë të burgosurit politikë u liruan. "Megjithatë, disa të burgosur politikë janë ende në burg", tha Bo Kyi, duke shtuar se rreth 200 aktivistë politikë janë në burg ose në pritje të gjyqit në Mianmar.
"Meqë Kabineti udhëhiqet tani nga ish të burgosurit politikë, si Këshilltari Shtetëror Aung San Suu Kyi dhe presidenti Win Myint, nuk duhet të ketë më shumë të burgosur politikë në burgje," shtoi ai.
Mijëra të burgosur politikë janë liruar në vitet e fundit që nga viti 2011 kur ish-junta dorëzoi pushtetin në një qeveri pothuajse civile.