Gökhan Kavak
18 Maj 2022•Përditësim: 19 Maj 2022
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) njoftoi se rasti i parë i poliomielitit që nga viti 1992 u zbulua në shtetin e Afrikës Lindore, Mozambik, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë nga Zyra e OBSH-së në Mozambik, thuhet se poliomieliti është zbuluar tek një fëmijë në rajonin Tete në verilindje të vendit.
Në deklaratë bëhet e ditur se rasti i fundit i poliomielitit në vend u raportua në vitin 1992, ndërsa theksohet se rasti i ri ishte i ngjashëm me rastin e zbuluar në Malavi.
Po ashtu njoftohet se rasti në fjalë nuk ishte me origjinë afrikane.
Në Malavi, më 17 shkurt, u zbulua rasti i parë i poliomielitit tek një fëmijë 3 vjet e gjysmë, për herë të parë pas 5 viteve dhe ky rast u regjistrua si "rasti i parë në Afrikë".
Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) njoftoi se 23 milionë fëmijë në Afrikë do të vaksinohen kundër poliomielitit pas rastit në shtetin jugoafrikan, Malavi.
Poliomieliti definohet si sëmundje që shfaqet te fëmijët më të vegjël se 5 vjeç dhe shkaktohet nga poliovirusi.
Virusi infekton palcën kurrizore në një në çdo 200 raste, duke shkaktuar paralizë të pakthyeshme. Midis 5 dhe 10 për qind e të paralizuarve vdesin kur preken muskujt e tyre të frymëmarrjes.