Mustafa Deveci
25 Qershor 2020•Përditësim: 25 Qershor 2020
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, njoftohet se i ka dërguar mesazh Mbretit të Jordanisë, Abdullah II, lidhur me planin e tij për "aneksimin" e disa zonave që ndodhen në Bregun Perëndimor nën okupim, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në lajmin e kanalit të televizionit izraelit Kanal 13, thuhet se kreu i shërbimeve inteligjente Mossad të Izraelit, Yossi Cohen, ditë më parë ka vizituar Jordaninë dhe është takuar me mbretin e Jordanisë.
Në lajmin i cili bazohet mbi një zyrtar të lartë izraelit që nuk identifikohet, theksohet se Cohen, i ka përcjellë mbretit Abullah mesazhin e Netanyahut lidhur me planin e tij të "aneksimit".
Teksa nuk është dhënë informacion për përmbajtjen e mesazhit, nga autoritetet izraelite dhe jordaneze nuk është bërë asnjë deklaratë për lajmin në fjalë.
Mbreti Abdullah, në një bisedë që zhvilloi më 16 qershor nëpërmjet telekonferencës me anëtarët e Kongresit Amerikan kishte paralajmëruar se plani i Izraelit për "aneksim" kërcënon stabilitetin në Lindjen e Mesme.
Duke reaguar ndaj planit të Izraelit për "aneksim", Mbreti Abdullah ishte shprehur se "Aneksimi i njëanshëm i Izraelit në territoret në Bregun Perëndimor minon pritshmërinë për sigurimin e paqes dhe stabilitetit në rajon".