Ekip
16 Nëntor 2016•Përditësim: 16 Nëntor 2016
LAGOS (AA) - Militantët e një grupi që vepron në Deltën e Nigerit në Nigeri, kanë sulmuar mbrëmë tre tubacionet kryesore të naftës në shtet, në vazhdën e sulmeve të tyre mbi resurset shtetërore të naftës dhe të gazit, raporton Anadolu Agency (AA).
Militantët e “The Niger Delta Avengers” (NDA) thanë se kanë hedhur në ajër tubacionin Nembe i cili operohet nga kompanitë holandeze të naftës, Royal Dutch Shell, Agip dhe Oando.
Sulmi i fundit mbi tubacionin e naftës i cili ka një kapacitet prej 300.000 fuçi naftë në ditë, i ka shkaktuar një dëm të konsiderueshëm prodhimtarisë së naftës e cila edhe ashtu është përgjysmuar prej kur grupi militant rifilloi sulmet në janar të këtij viti.
“Kjo është një kundërpërgjigje për të ashtuquajturin operacion Sharkbite, që paraqet një vepër terroriste të kryer nga forcat Detare të Nigerisë e orkestruar nga disa elemente brenda klasës qeverisëse politike në shtet, të cilat synojnë të minojnë kërkesat legjitime të popullit në Deltën e Nigerit”, tha zëdhënësi i NDA-së, Mudoch Agbinibo përmes një deklarate të shkruar.
Grupi tha se fushata e bombardimeve do të vazhdojë derisa qeveria t'u përgjigjet kërkesave të krerëve lokalë.