Ekip
19 Maj 2021•Përditësim: 19 Maj 2021
Policia izraelite sot herët në mëngjes kanë arrestuar 58 izraelitë arabë midis sulmeve të vazhdueshme izraelite në Rripin e Gazës, sipas një organizate për të drejtat e njeriut, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë, Qendra Ligjore për të Drejtat e Pakicave Arabe (Adalah) tha se shumica e arrestimeve ndodhën në qytete dhe qyteza në jug të vendit.
"Ne komunikuam me avokatë vullnetarë për të qenë të pranishëm në stacionet e ndryshme të policisë për t'u dhënë këshilla ligjore të arrestuarve para marrjes në pyetje", tha Adalah.
Qytetet me shumicë arabe në Izrael kanë qenë dëshmitarë të marshimeve në solidaritet me banorët palestinezë të lagjes Sheikh Jarrah në Kudsin Lindor të okupuar dhe Rripin e Gazës.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, së paku 219 palestinezë kanë humbur jetën, duke përfshirë 63 fëmijë dhe 36 gra, dhe 1.530 të tjerë janë plagosur në sulmet izraelite në Rripin e Gazës që nga 10 maji.
Dymbëdhjetë izraelitë gjithashtu kanë humbur jetën në raketat palestineze nga Rripi i Gazës.
Tensionet e fundit që filluan në Kudsin Lindor gjatë muajit të shenjtë musliman të Ramazanit u përhapën në Gaza si rezultat i sulmeve izraelite ndaj besimtarëve në kompleksin e Xhamisë Al-Aksa dhe lagjen Sheikh Jarrah.
Izraeli pushtoi Kudsin Lindor, ku ndodhet Al-Aksa, gjatë luftës arabo-izraelite në vitin 1967. Ai aneksoi të gjithë qytetin në vitin 1980 si një lëvizje e cila kurrë nuk është njohur nga komuniteti ndërkombëtar.