Eshat Fırat
06 Qershor 2017•Përditësim: 07 Qershor 2017
JERUSALEM (AA) – Një palestinez, shtetas i Izraelit humb jetën si pasojë e gjuajtjes me armë zjarri nga policia izraelite në incidentet në qytezën Kefr Kasim, në veri të Izraelit, raporton Anadolu Agency (AA).
“Në qytezën Kefr Kasim ku shumica e banorëve përbëhet nga qytetarët arabë kishte një incident mes qytetarëve dhe policëve. Policia gjuajti me armë zjarri drejt qiellit kundër atyre që sulmuan me gurë dhe koktej molotovi. Si pasojë e gjuajtjes me armë zjarri nga policia një qytetar u plagos dhe humbi jetën pasi që u dërgua në spital”, thuhet në një deklaratë nga zëdhënësi i policisë izraelite.
Në deklaratë nuk ka të dhëna për identitetin e palestinezit të vrarë, shtetas i Izraelit. Burimet lokale theksojnë se palestinezi i cili humbi jetën është 20 vjeçari Ahmet Taha.
Policia izraelite po sillet në mënyrë armiqësore
Pas incidenteve disa prej deputetëve arabë në Parlamentin e Izraelit (Knesset) në mesin e të cilëve janë edhe Ahmed Et-Tijbi, Talip Ebu Arar dhe Ejmen Avde shkuan në Kefr Kasim.
Në një deklaratë, shefi i bllokut të listës së përbashkët arabe në Knesset, Ejmen Avde tha se “Policia izraelite në vend se ta mbrojë minoritetin arab që jeton në këtë shtet, po sillet armiqësisht ndaj tyre”.
Kurse deputeti Tijbi tha se policia izraelite duhet të largohet nga kjo qytezë dhe se personat e arrestuar duhet të lirohen. “Policia në vend se të ndërhyjë te kriminelët, sulmoi qytetarët”, tha ai.
Sipas të dhënave zyrtare të Qendrës së Statistikave të Izraelit, në këtë shtet jetojnë më shumë se 1 milionë e 400 mijë arabë. Kjo do të thotë se arabët përbëjnë 20 për qind të popullsisë 8 milionëshe të këtij vendi.