Ömer Tuğrul Çam
18 Tetor 2022•Përditësim: 19 Tetor 2022
Zyra e Prokurorit Publik Evropian (EPPO) njoftoi se po zhvillon një hetim rreth blerjes së vaksinave kundër COVID-19 në Bashkimin Evropian, transmeton Anadolu Agency (AA).
Autoriteti i cili është përgjegjës për hetimet dhe ndjekjet penale të krimeve kundër buxhetit të BE-së, njoftoi se ka filluar një hetim rreth sigurimit të përbashkët të vaksinave të COVID-19 nga Komisioni Evropian në emër të vendeve të BE-së.
Prokuroria bëri të ditur se aktualisht hetimi vazhdon dhe se kjo mbart "një interes publik jashtëzakonisht të lartë".
Më tej autoriteti i Prokurorisë vuri në dukje se në këtë fazë nuk mund të ndajë informacion tjetër me opinionin publik.
KE-ja në luftën kundër pandemisë së COVID-19 siguroi vaksina në sasi të larta nga disa prodhues të ilaçeve dhe vaksinave. KE-ja, marrëveshjen e saj më të madhe për sigurimin e vaksinave kundër COVID-19 e bëri me Pfizer-BioNTech.
Gjatë bisedimeve të këtij furnizimi, në rend dite erdhën shkëmbimet e mesazheve telefonike mes presidentes së KE-së, Ursula von der Leyen dhe drejtorit ekzekutiv të kompanisë Pfizer, Albert Burla, ndërkohë që administratës së BE-së iu bë thirrje që të njoftojë përmbajtjen e mesazheve. Por, administrata e BE-së nuk i ndau me opinionin publik këto mesazhe.
Ombudsmani i BE-së njoftoi se KE-ja ka paraqitur "keqmenaxhim" sepse nuk ka deklaruar shkëmbimin e mesazheve të Von der Leyen me Burla.
BE-ja ka një marrëveshje me opsione me Pfizer-BioNTech për një total prej 2.4 miliardë dozash në emër të vendeve anëtare. Kostoja e marrëveshjeve nuk deklarohet zyrtarisht me arsyen se është sekret tregtar. Gjithashtu, BE-ja siguron vaksina edhe nga kompanitë si Moderna, AstraZeneca, Novavax dhe Johnson & Johnson.
Theksohet se që nga fundi i 2021, BE-ja ka bërë marrëveshje në vlerë prej 71 miliardë dollarë për gjithsej 4.6 miliardë doza të vaksinave.