Yusuf Özcan
31 Maj 2017•Përditësim: 31 Maj 2017
PARIS (AA) – Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin lidhur me çështjen e Sirisë tha se Turqia dhe Irani kanë një qasje konstruktive, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një intervistë për gazetën franceze "La Figaro" Putin foli për krizën në Siri dhe për pretendimet se Rusia ka bërë ndërhyrje kibernetike në zgjedhjet presidenciale në SHBA.
Duke theksuar marrëdhëniet historike mes Rusisë dhe Francës, Putin tha se në takimin e tij para dy ditësh me presidentin francez Emmanuel Macron kanë biseduar për çështjet ndërkombëtare dhe për fushat ku mund të bashkëpunohet.
Lidhur me pyetjen për krizën në Siri, Putin është përgjigjur se “Posaçërisht dua të nënvizoj qasjen konstruktive të Turqisë dhe të Iranit".
Ai vuri në dukje se në Siri duhet të themelohen zonat e sigurta dhe potencoi rëndësinë e arritjes së ndihmave humanitare në këtë vend. Presidenti rus shtoi se kjo është një nga çështjet për të cilat do të bashkëpunojnë me presidentin francez, Macron.
Duke theksuar se ai nuk mund të vendosë për të ardhmen e Sirisë, Putin tha se “Vendimi për të ardhmen e Sirisë, së bashku me Asadin ose pa të, i takon popullit sirian”.
Lidhur me përdorimin e armëve kimike Putin tha se bashkësia ndërkombëtare duhet të përcaktojë një politikë të përbashkët, duke prodhuar një përgjigje e cila do ta ndalojë përdorimin e këtyre armëve.
Ndërkaq për pretendimet se Rusia ka kryer sulme kibernetike gjatë zgjedhjeve presidenciale në SHBA, Putin tha se “Rusia nuk ka bërë sulme kibernetike dhe nuk ka nevojë për këtë”.
Putin shtoi se këto pretendime janë të bazuara në shpifje dhe se ato kanë dalur nga ata të cilët nuk kanë mundur ta pranojnë humbjen në zgjedhje.