Sibel Vezaj
27 Tetor 2016•Përditësim: 28 Tetor 2016
PRISHTINË (AA) - Në Gjykatën Themelore të Prishtinës përfundoi seanca e sotme e gjykimit të Naser Kelmendit, ku si dëshmitar u paraqit Fahrudin Radonçiç, kryetari i partisë politike Aleanca për një Ardhmëri më të Mirë (SBB) në Bosnjë e Hercegovinë, njëherit edhe deputet i Parlamentit të Bosnjës. Kelmendi po akuzohet për krim të organizuar, trafikim të drogës dhe të armëve, si dhe për përfshirje në vrasjen e shtetasit boshnjak, Ramiz Delaliq, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjatë kësaj seance Radonçiç iu përgjigj pyetjeve të shtruara nga Prokurori special Andrew Hughes. Prokurori bëri pyetje rreth rolit të Radonçiçit në luftën e fundit në Bosnjë e Hercegovinë (BeH), në lidhje me marrëdhëniet e tij me Haris Silajxhiq, në periudhën kur ai ishte kryeministir i BeH, me presidentin e atëhershëm Alija Izetbegoviq dhe rreth marrëdhënieve të tij me Ramiz Delaliç dhe Sefer Haliloviç.
Pas kësaj, prokurori pyeti rreth punës së tij pas luftës së fundit në BeH. Radonçiç shprehu se ka lënë armatën e BeH-së për shkak të përpjekjeve për islamizmin e ushtrisë dhe theksoi se pas kësaj në vitin 1991 ka krijuar kompaninë e tij, ku publikonte gazetën AVAZ.
Duke vënë në dukje se se pas luftës komuniteti boshnjak nuk ka pasur gazeta kombëtare dhe që komuniteti boshnjak nuk ishte i interesuar të blinte gazeta nga Beogradi, Radonçic tha se kjo është arsyeja që ai ka bërë “bum ekonomik”.
Ai shtoi se nëpërmjet kompanisë së tij, është mundësuar që financiarisht të ngriten ndërtesat e mëdha, përkatësisht hotelet më të rëndësishme të asaj kohe në Sarajevë.
Kurse, për pyetjet rreth marrëdhënieve të tij me Kelmendin, Rodonçiç tha se Kelmendi është një prej 225 mijë partnerëve të biznesit të kompanisë së tij. Ai bëri të ditur se bashkëpunimi i tyre ka qëndruar në atë se Kompania Avaz ka blerë automjete të blinduara nga Kelmendi. “E kjo është bërë nga drejtorët tanë e jo nga unë”, tha ai.
Rodonçiç shtoi se situata në BeH në kohën e pasluftës ka qenë e shumë e rrezikshme për ata që vinin nga jashtë dhe se për këtë arsye kanë pasur nevojë për vetura të blinduara, të cilat në mënyrë të ligjshme në Sarajevë i shiste vetëm Naser Kelmendi.
Kurse i pyetur se a është takuar ndonjëherë me Kelmendin në Kosovë, Radonçic u përgjigj “Absolutisht jo”. Ai shtoi se të gjitha takimet që ka pasur me Kelmendin kanë qenë të rastësishme apo spontane dhe se ato kurrë nuk kanë qenë paraprakisht të caktuara për të diskutuar ndonjë temë të veçantë.
Prokurori pyeti Radonçiçin edhe për Shejla Turkoviçin, e cila ishte dëshmitare e prokororisë në seancat e kaluara dhe kishte folur për bashkëpunimin e Radonçiçit dhe të Kelmendit. Radonçiç në përgjigjen e tij tha se ka takuar atë para se të ajo të fillojë për të përditshmen Avaz rreth vitit 2001, në një kafene dhe se e kishte punësuar sepse ajo kishte nevojë për një punë dhe meqë edhe kompania e tij kishte nevojë për një punëtore që dinte mirë gjuhën angleze.
Seanca e sotme përfundoi gjatë diskutimit për Turkoviçin, e cila do të vazhdojë edhe të premten dhe të hënën.
I pyetur nga gjykatësja se në rast të zgjatjes së pyetjeve, a mund të qëndrojë edhe të martën në Kosovë, Radonçiç tha se “Më kanë lëshuar vizën e cila skadon me 1 nëntor e unë duhet të largohem me datën 31 të këtij muaji. Kur ne kemi bërë kërkesë për vizë kemi kërkuar më gjatë mirëpo nuk e di pse na kanë dhënë një vizë kaq të shkurtër”.
Së fundi ai tha se në rast nevoje do të vijë përsëri në Kosovë.
Naser Kelmendi është arrestuar nga Policia e Kosovës, në maj 2013, në bazë të fletëarrestit ndërkombëtar të lëshuar nga organet qeveritare të BeH-së dhe nga atëherë gjendet në paraburgim.
Kurse Prokuroria Speciale e Republikës Kosovës (PSRK), në korrik 2014, e ka ngritur akuzën kundër Naser Kelmendit pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Përkundër kërkesës së së qeverisë së BeH-së për ekstradimin e Kelmendit, kjo nuk ka ndodhur për shkak se sipas ligjeve të Kosovës, një qytetar i Kosovës nuk mund të ekstradohet në një shtet tjetër i cili nuk e njohur shtetin e Kosovës, dhe me të cilin Kosova nuk ka marrëveshje ndërkombëtare për ekstradim.