Muhammed Emin Canik
28 Prill 2025•Përditësim: 28 Prill 2025
Huthit e mbështetur nga Irani në Jemen njoftuan se 68 persona u vranë kur një raketë amerikane goditi një ndërtesë në të cilën strehoheshin migrantë të parregullt afrikanë në qytetin Saada në veri të vendit, transmeton Anadolu.
Sipas lajmit të transmetuar në kanalin televiziv Al-Masirah të lidhur me Huthit, një raketë e lëshuar nga avionët luftarakë amerikanë goditi një strehë për migrantë të parregullt afrikanë në qytetin Saada.
Drejtoria e Mbrojtjes Civile njoftoi se 68 persona humbën jetën ndërsa 47 të tjerë u plagosën në ndërtesën e goditur nga raketa amerikane.
Ekipet e mbrojtjes civile dhe të Gjysmëhënës së Kuqe të Jemenit vazhdojnë përpjekjet e kërkim-shpëtimit në ndërtesë.
- Sulmet ajrore ndaj Jemenit
Huthit në një deklaratë më 7 mars njoftuan se i kanë dhënë Izraelit katër ditë kohë për të lejuar hyrjen e ndihmave në Gaza, përndryshe do të rifillonin operacionet detare kundër Izraelit.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump në një deklaratë në platformën "Truth Social" më 15 mars tha se i kishte dhënë urdhër ushtrisë të niste "sulme masive" kundër Huthive në Jemen.