Vakkas Doğantekin
05 Shtator 2019•Përditësim: 09 Shtator 2019
Administrata e presidentit amerikan Donald Trump do të fillojë të ofrojë shpërblime deri në 15 milionë dollarë për informata që mund të ndihmojnë në prishjen e mekanizmit financiar të Gardës Revolucionare të Iranit (IRGC), transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas gazetës politike amerikane, The Hill, Departamenti Amerikan i Shtetit pritet që sot të bëjë njoftimin.
Administrata e presidentit Trump e ka radhitur IRGC-në si një entitet terrorist në prill dhe tani avancon luftën në nivel tjetër përmes programit të "Shpërblime për Drejtësi".
Çdo informacion mbi burimet e të ardhurave të njësisë ushtarake do të shpërblehet nga Washington, thuhet në raportimin e The Hill.
Programi i shpërblimit kundër IRGC-së vjen menjëherë pasi të mërkurën SHBA vendosi në listë të zezë disa ndërmarrje, anije dhe individë që dyshohet se kanë shkelur sanksionet amerikane duke punuar me IRGC-në.
Sipas një deklarate nga Departamenti Amerikan i Thesarit, një ish-ministër iranian i naftës dhe djali i tij janë në mesin e individëve.
"Veprimi i Thesarit kundër këtij rrjeti të gjerë të naftës e bën të qartë se ata që blejnë naftë iraniane janë duke mbështetur drejtpërdrejt militantët dhe krahun terrorist të Iranit, forcat IRGC-Qods", tha në një deklaratë sekretari i thesarit, Steven Mnuchin.