Fatjon Cuka
14 Shtator 2020•Përditësim: 15 Shtator 2020
Në kryeqytetin e Shqipërisë në ditën e parë të vitit të ri shkollor është organizuar një protestë sensibilizuese me thirrjen që të riatdhesohen fëmijët shqiptarë që gjenden në kampet në Siri, raporton Anadolu Agency (AA).
Me sloganin "Të harruar në Siri: Ktheni fëmijët tanë në shtëpi", familjarët e fëmijëve shqiptarë që janë aktualisht në kampe në Siri iu kanë bërë thirrje autoriteteve të Shqipërisë që t’i riatdhesojnë.
Sipas disa prej organizatorëve të protestës, që u organizua në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit" në Tiranë para selisë së Kryeministrisë së Shqipërisë, me dhjetëra fëmijë aktualisht janë në kampet në Siri.
Me pankartat me mbishkrimet "Asnjë fëmijë nuk e meriton këtë", "Edhe sa duhet të presim", familjarët dhe pjesëmarrës të tjerë kanë përsëritur thirrjet e tyre për institucionet e Shqipërisë që të vazhdojnë procedurat për të sjellë fëmijët në Shqipëri.
Protesta e cila u mbështet edhe nga dhjetëra qytetarë dhe aktivistë të shoqërisë civile u shpërnda pa incidente pas thirrjeve të policisë, e cila iu kërkoi protestuesve që të shpërndahen për shkak të masave kundër pandemisë së koronavirusit (COVID-19).
Autoritetet në Shqipëri kohët e fundit nuk kanë publikuar të dhëna zyrtare për numrin e fëmijëve shqiptarë që ndodhen aktualisht në kampe në Siri, të cilët shkuan së bashku me prindërit e tyre disa vite më parë, ndërsa institucionet në muajt e fundit janë angazhuar që ta zgjidhin çështjen në fjalë.
Disa muaj më parë, për çështjen e riatdhesimit të shqiptarëve në kampet e Sirisë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se është një situatë shumë komplekse, ndërsa theksoi se, “Shpresoj të kemi rezultate, sepse janë operacione shumë të ndërlikuara dhe shumë sensitive”.