Michael Gabriel Hernandez
28 Gusht 2023•Përditësim: 28 Gusht 2023
Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se është "gjithnjë e më e sigurt" se kreu i kompanisë ushtarake private ruse 'Wagner', Yevgeny Prigozhin, humbi jetën nga rrëzimi i avionit të tij privat jashtë Moskës javën e kaluar, transmeton Anadolu.
"Ne jemi gjithnjë e më të sigurt se Prigozhin vdiq në përplasjen e avionit që ndodhi më 23 gusht," u tha gazetarëve zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, duke iu referuar kreut të kompanisë Wagner, operacionet e së cilës ishin kritike për luftën e Rusisë në Ukrainë dhe që ka vepruar në emër të Kremlinit në Siri dhe Afrikë.
Më parë, Rusia ka thënë se Prigozhin ishte ndër dhjetë personat që humbën jetën kur avioni privat 'Embraer' u rrëzua pak pasi u nis nga Moska për në Shën Petersburg. Bashkëthemeluesi i kompanisë 'Wagner', Dmitry Utkin dhe personeli tjetër i kompanisë gjithashtu humbën jetën.
Përplasja e 23 gushtit ndodhi saktësisht dy muaj pasi Prigozhin udhëhoqi një rebelim të ndërprerë kundër ushtrisë ruse.
Prigozhin ishte përplasur prej kohësh me ushtrinë ruse për atë që ai tha se ishte një histori e furnizimeve të pamjaftueshme të armëve, ndërsa forcat e tij të grupit paraushtarak u përpoqën të merrnin territorin ukrainas për Kremlinin.