Ömer Koparan,Adham Kako
17 Nëntor 2018•Përditësim: 18 Nëntor 2018
AZEZ/ANKARA (AA) - ÖMER KOPARAN - Batalioni Hamza, një prej elementëve kryesorë të Ushtrisë së Lirë Siriane (ULS) është duke bërë përgatitje për zhvillimin e një operacioni të mundshëm ushtarak që mund të ndërmarrë Turqia në Lindje të Eufratit në Siri, raporton Anadolu Agency (AA).
Batalioni Hamza i cili u formua në vitin 2015 për të luftuar kundër organizatës terroriste DEASH dhe përbëhet nga turkmenët, nën çatinë e ULS-së ka dhënë mbështetje për Forcat e Armatosura të Turqisë (TSK) gjatë operacioneve “Mburoja e Eufratit” dhe “Dega e Ullirit".
Grupi përbëhet nga rreth 6.500 luftëtarë dhe aktualisht ai është duke bërë përgatitje, për ndonjë operacion të mundshëm që Turqia mund të fillojë në Lindje të Eufratit.
Sejf Ebu Bekir, një prej komandantëve të grupit që mëson taktikat e luftës në rajonin Azez nën kontrollin e opozitarëve, ka deklaruar për AA se "Aktualisht po trajnojmë ushtarët tanë dhe po bëjmë përgatitje për ndonjë operacion të mundshëm që mund të zhvillohet në Lindje të Eufrait kundër organizatës terroriste PKK dhe PYD".
"Ne nuk kemi problem me vëllezërit tanë kurdë që jetojnë atje. Përkundrazi do t’i çlirojmë ata nga persekutimi i terrorizmit", është shprehur Ebu Bekir, duke shtuar më tej se "Ne po përgatitemi për në lindje të Eufratit me të gjitha përpjekjet tona. Qëllimi ynë si ULS është të çlirojmë qytetarët tanë në lindje të Eufratit nga persekutimi i terrorit".
Duke theksuar se organizata terroriste zbaton presion dhe persekuton popullatën në rajonet që ajo ka pushtuar, Ebu Bekir tha se "Për këtë arsye ne po bëjmë përgatitjet tona. Ne edhe më parë në operacionin ‘Dega e Ullirit’ kemi mbështetur vëllezërit tanë kurdë që janë larguar nga persekutimi i organizatave terroriste. Kemi kryer bisedime. Si Batalioni Hamza ne kemi përgatitur një strukturë ku kurdët janë të bashkuar. Kjo strukturë që e kemi emëruar ‘Skifterët kurdë‘ përbëhet afërsisht nga 1.200 ushtarë".
Komandanti Ebu Bekir pasi ka bërë të ditur se luftëtarët në brigadën “Skifterët kurdë” në batalion luftojnë kundër krimeve që ka kryer YPG/PKK-ja, ai ka vlerësuar se "Ata kanë luftuar me YPG/PKK-në dhe do të vazhdojnë të luftojnë. ‘Skifterët kurdë‘ kanë patur një ndikim të madh në operacionin ‘Dega e Ullirit‘".
- "Me mbështetjen e Turqisë do të pastrojmë ato rajone nga organizatat terroriste"
Duke rikujtuar se YPG/PKK-ja aktualisht ka pushtuar rajonin Tel Rifat, Ebu Bekir tha se "Organizata terroriste pas operacionit ‘Dega e Ullirit‘ filloi të strukturohet më shumë në rajonin Shehba dhe në Tel Rifat. Me mbështetjen e Turqisë nga pikëpamja ushtarake dhe politike do të pastrojmë ato rajone nga organizatat terroriste".
Me marrëveshjen e Soçit, Turqia ka bërë një punë të shumë të rëndësishme për mbrojtjen e civilëve në Idlib tha Ebu Bekir. "Kjo marrëveshje ishte shumë e rëndësishme për rreth 4 milionë njerëz që jetojnë në atë rajon. Por vërejmë se regjimi i Asadit dhe mbështetësit e tij kryesisht forcat iraniane përpiqen të prishin këtë marrëveshje. Popullata që jeton atje gjithashtu edhe ne nuk dëshirojmë prishjen e kësaj marrëveshjeje. Në një rast sulmi ne si ULS do të mbështetim me gjithë forcën tonë vëllezërit tanë atje që tregojnë përpjekje për revolucion", theksoi Ebu Bekir.