Merve Gül Aydoğan Ağlarcı
09 Nëntor 2020•Përditësim: 09 Nëntor 2020
Turqia ndau informacion të detajuar në lidhje me terroristin e DEASH-it përgjegjës për sulmin e fundit të armatosur në Vjenë me autoritetet austriake në vitin 2019, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një kumtesë të Drejtorisë së Përgjithshme të Sigurisë së Turqisë bëhet e ditur se terroristi Kujtim Fejzullai, shtetas i Austrisë dhe Maqedonisë së Veriut, u monitorua përmes mbikëqyrjes së sigurisë më 1 shtator 2018, kur mbërriti në Aeroportin Atatürk të Stambollit nga Vjena.
Në kumtesë thuhet se hetimi i përbashkët nga ekipet e inteligjencës dhe ekipet antiterroriste zbuluan përpjekjen e terroristit për t'iu bashkuar grupit terrorist DEASH duke kaluar në mënyrë të paligjshme në Siri nga provinca jugore turke Hatay.
Ai u arrestua në Hatay më 18 shtator 2018 dhe pas procedurave ligjore, u deportua në Austri më 10 janar 2019 nga Drejtoria e Përgjithshme e Menaxhimit të Migracionit të Hatay.
Në kumtesë gjithashtu thuhet se autoritetet turke kishin ndarë informacionin me autoritetet austriake, ku jepeshin detaje për strukturën organizative të Fejzullait dhe përpjekjet për t'iu bashkuar DEASH-it.
Franz Ruf, drejtori i përgjithshëm i Sigurisë Publike të Austrisë, gjithashtu kishte pranuar këto zhvillime.
Ruf tha se ndonëse Fejzullai u dënua me 22 muaj burg, ai u la i lirë me kusht 11 muaj para se të përfundonte dënimin e tij.
Të paktën 4 persona u vranë dhe 22 të tjerë u plagosën në sulmin terrorist në kryeqytetin austriak natën e 2 nëntorit.