Mustafa Deveci
16 Dhjetor 2019•Përditësim: 17 Dhjetor 2019
Ushtarët izraelitë me arsyetimin se është "pa leje" e kanë shembur shtëpinë e një palestinezi në qytetin Betlehem të Bregut Perëndimor nën okupim, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas informacioneve të marra nga burimet lokale, ushtarët izraelitë me ndihmën e buldozerëve kryen një bastisje në rajonin El-Hader në qytetin Betlehem dhe me arsyetimin se është "pa leje" shembën shtëpinë e palestinezit, Semih Salih.
Thuhet se autoritetet izraelite shembën shtëpinë me pretendimin se vendi në fjalë vlerësohet si "zona C" dhe se shtëpia është "pa leje".
Izraeli çdo vit lë pa shtëpi dhjetëra palestinezë
Izraeli në Kudsin Lindor dhe Bregun Perëndimor që i ka pushtuar në vitin 1967 me arsyetime të ndryshme shemb shtëpitë dhe objektet e palestinezëve.
Në kuadër të "marrëveshjes së dytë të Oslos" e cila u nënshkrua mes Palestinës dhe Izraelit në vitin 1995, Bregu Perëndimor ishte ndarë në zonat A, B dhe C.
Zona A, e cila përfshin 18 për qind të territorit, i ishte alokuar Palestinës në aspektin administrativ dhe atë të sigurisë. Zona B, që përfshinte 21 për qind, në aspektin administrativ i ishte alokuar Palestinës ndërsa në atë të sigurisë Izraelit. Kurse zona C, që përfshin 61 për qind të Bregut Perëndimor, i ishte alokuar Izraelit në aspektin administrativ dhe atë të sigurisë.
Burimet lokale theksojnë se vetëm vitin e kaluar 538 shtëpi dhe biznese të palestinezëve në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindorë janë shembur nga forcat izraelite me arsyetimin se janë "pa leje" ose se janë ndërtuar në "Zonën C".