Emre Aytekin
21 Qershor 2018•Përditësim: 22 Qershor 2018
SRINAGAR/ANKARA (AA) - Politikanë të shquar pro-pavarësisë në rajonin Xhammu Kashmir të Indisë janë arrestuar nga autoritetet, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas një lajmi në gazetën Hindustan Times, nën arrest është marrë lideri i Fontit Çlirimtar të Xhammu Kashmirit Jasin malik, ndërkohë që liderit të Konferencës Hurriyat të të Gjitha Partive, Mirvaiz Omer Faruk, i është shqiptuar dënim me arrest shtëpiak.
Ndërkaq, mësohet se ende është duke vazhduar arresti shtëpiak i Sejit Ali Shah Gelanit, po ashtu një nga liderët e Konferencës Hurriyat.
Mbështetësit e pavarësisë kanë shpallur grevë të përgjithshme pas vdekjes së civilëve në operacionet e forcave të sigurisë dhe vdekjes së gazetarit Suxhat Buhari si rezultat i një atentati javën e kaluar. Mjetet e transportit publik në rajon i kanë ndalur shërbimet, kurse shkollat dhe bizneset kanë ngelur të mbyllura.
Supozohet se protestat janë kryer për të penguar udhëheqjen e protestave të mundshme.
Kryeministrja e Xhammu Kashmirit, Mehbuba Mufti, më herët ka dhënë dorëheqje për shkak të mosmarrëveshjeve me partnerët e koalicionit, ndërsa autoritetet emëruan përkohësisht në detyrën e tij guvernatorin NN Vohra për shkak të boshllëkut të krijuar në qeveri.
- Çështja e Kashmirit
Britania e Madhe gjatë tërheqjes së saj nga India në vitin 1947, kishte lënë të lirë Kashmirin i cili ishte nën sundimin e princit, t'i bashkohet ose Indisë ose Pakistanit. 90 për qind e popullatës së Kashmirit e cila është muslimane në vitin 1947 mbajtën qëndrimin që t'i bashkohen Pakistanit, por princi i asaj kohe, vendosi të bashkohet me Indinë në vend të Pakistanit. Ndërsa këtë vendim e kundërshtoi popullata muslimane e Kashmirit.
Pasi Pakistani dhe India dërguan ushtarë në rajon, palët luftuan për herë të parë në vitin 1947. Të dy vendet për të njëjtin shkak luftuan edhe në vitet 1965 dhe 1999. 45 për qind e Kashmirit është nën kontrollin e Indisë, ndërsa 35 për qind nën kontrollin e Pakistanit. 20 për qind e rajonit është nën kontrollin e Kinës. India rajonet të cilat i okupoi i lidhi me vete nën emrin krahina "Xhammu Kashmir".
Xhammu Kashmir tani është krahina e vetme e Indisë ku jetojnë shumicë muslimane. Ndërsa Pakistani Kashmirin që e ka nën kontroll i dha status të dy rajoneve autonome "Azad Kashmir (Kashmiri i Pavarur)" dhe "Gilgit Baltistan".
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara (KS-OKB), me vendimin e marrë që nga viti 1948, kishte parashikuar pastrimin e Kashmirit nga ushtarët dhe e ardhmja t'i caktohet me referendum. India nuk është dakord me referendumin, ndërsa Pakistani dëshiron që të zbatohen vendimet e KS-OKB.