Ahmet Gürhan Kartal
04 Shkurt 2019•Përditësim: 04 Shkurt 2019
LONDËR (AA) – Një anije kërkimore private, ka zbuluar mbetjet e avionit i cili u zhduk nga radarët rreth dy javë më parë në afërsi të ishujve të Kanalit të La Manshit, dhe me të cilin udhëtonte futbollisti argjentinas Emiliano Sala, raporton Anadolu Agency (AA).
Anija e angazhuar nga familja e Sala zbuloi avionin, shkruajnë mediat britanike.
Specialisti për punë kërkimore i anijes në fjalë, i cili dhe udhëhoqi hetimin privat, David Mearns, deklaroi se vendndodhja e mbetjeve të avionit iu përcoll Zyrës për Hetime të Aksidenteve Ajrore (AAIB) në Britani, të cilët më pas arritën tek mbetjet e avionit duke përdorur një automjet të tyre për kërkimin nënujor.
"Mbetjet e avionit me Emiliano Sala dhe pilotin David Ibbotson u lokalizuan herët në mëngjes nga FPV MORVEN", shkroi Mearns në Twitter.
"Siç është rënë dakord me AAIB-në, ata zhvendosën GEO OCEAN III në pozicionin të cilin u’a treguam më herët në mënyrë që të identifikojnë vizualisht avionin", shkroi ai.
Nuk ka asnjë të dhënë nëse trupat e pajetë të Sala dhe pilot David Ibbotson u gjetën në rrënojat e avionit të zbuluar, pasi Mearns vetëm shkroi se ka njoftuar familjet dhe policinë.
Gjatë ditës AAIB pritet të dalë me një deklaratë.
Futbollisti argjentinas udhëtonte për në Cardiff ku pritej ti bashkohet klubit futbollistik të Premier Ligës Angleze, Cardiff City, pasi nënshkroi një kontratë prej 15 milionë strerlina.
Kontakti i avionit të markës Piper Malibu që është nisur nga Nantes për të udhëtuar drejt kryeqytetit uellsian Cardiff është ndërprerë në afërsi të Ishullit Guernsey në Kanalin e La Manshit më 21 janar.