Gökhan Ergöçün
15 Nëntor 2022•Përditësim: 16 Nëntor 2022
Perspektiva ekonomike globale është e "zymtë" për shkak të luftës Rusi-Ukrainë, rritjes së normave të interesit dhe efekteve të vazhdueshme të pandemisë, tha ekonomisti i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Tryggvi Gudmundsson, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ekonomisti i Departamentit të Kërkimeve të FMN-së tha se ka pasur një "përkeqësim të vazhdueshëm" në Indeksin e Menaxherëve të Blerjeve (PMI), treguesi kryesor ekonomik i sektorëve të prodhimit, ndërtimit dhe shërbimeve në muajt e fundit.
Gudmundsson vuri në dukje se bllokimi i Kinës për shkak të pandemisë dhe sektori i saj i pasurive të paluajtshme që janë në gjendje të vështirë, kanë kontribuar në ngadalësim të investimeve, prodhimit industrial dhe shitjeve me pakicë.
"Kjo në mënyrë të pashmangshme do të ketë një ndikim të dukshëm në ekonomitë e tjera për shkak të rolit të madh të Kinës në tregti", tha Gudmundsson.
Ai nënvizoi se shtrëngimi i politikës fiskale dhe monetare do të vazhdojë të rëndojë mbi aktivitetin ekonomik.
"Sfidat me të cilat përballet ekonomia globale janë të mëdha dhe dobësimi i treguesve ekonomikë tregojnë për sfida shtesë në të ardhmen. Megjithatë, me veprime të kujdesshme të politikave dhe përpjekje të përbashkëta shumëpalëshe, bota mund të shkojë drejt rritjes më të fortë dhe më gjithëpërfshirëse", tha Gudmundsson.