Şeyma Erkul Dayanç
21 Prill 2026•Përditësim: 21 Prill 2026
Franca do të zgjasë masat për lehtësimin e çmimeve të karburantit deri në muajin maj, mes rritjes së kostove të lidhura me tensionet në Lindjen e Mesme, tha ministri i Ekonomisë, Roland Lescure, transmeton Anadolu.
"Ne kishim masa mbështetëse në prill dhe do t'i vazhdojmë ato në maj", tha Lescure për transmetuesin RTL.
Ministri i Ekonomisë tha se kryeministri Sebastien Lecornu pritet të bëjë njoftime të tjera "më vonë gjatë ditës" lidhur me masat shtesë.
Lecornu tha të premten se qeveria po përgatit një paketë të re mbështetëse për majin që synon sektorët më të prekur nga rritja e çmimeve të karburantit, si fermerët, peshkatarët dhe operatorët e transportit rrugor.
Qeveria ka njoftuar tashmë 130 milionë euro shpenzime mbështetëse për të përballuar rritjen e çmimeve të karburantit, përfshirë 70 milionë euro për transportuesit, peshkatarët dhe fermerët si dhe 60 milionë euro për kuponë energjie.
Duke theksuar shkallën e krizës, Lescure tha se ka pasur një rritje prej 3.6 miliardë eurosh në kostot e borxhit, e nxitur nga normat më të larta të interesit.
Në këtë kontekst, qeveria gjithashtu ka rishikuar lehtë në rënie parashikimin e rritjes për vitin 2026 nga 1 për qind në 0.9 për qind, shtoi ai.
Qeveria mund të njoftojë gjithashtu masa shtesë kursimi që variojnë midis 4 miliardë dhe 6 miliardë euro gjatë një takimi të ardhshëm për financat publike.