Sot në Gjermani nisi takimi i parë me pjesëmarrje fizike i shtatë ekonomive kryesore të botës (G7) që nga fillimi i luftës së Rusisë kundër Ukrainës, ku liderët do të diskutojnë mbi krizën e ushqimit dhe energjisë të shkaktuar nga lufta, raporton Anadolu Agency (AA).
Ngjarja treditore po zhvillohet në Schloss Elmau në Alpet bavareze, me axgjendën e saj që është konsideruar më urgjente se asnjëherë më parë.
Pasi mori presidencën e G7-tës nga Britania në janar, Gjermania ka vendosur si objektiv “përparimin drejt një bote të barabartë”.
Me këtë moto, do të diskutohen çështje si qëndrueshmëria e planetit, stabiliteti dhe transformimi ekonomik, jeta e shëndetshme dhe investimet e qëndrueshme.
Ndërsa OKB-ja ka paralajmëruar vazhdimisht për një “krizë të paprecedentë urie globale” si rezultat i luftës Rusi-Ukrainë, liderët e G7-tës pritet të marrin angazhime të reja për sigurinë ushqimore dhe trajtimin e rritjes së çmimeve të energjisë.
Të shtunën, një numër i madh protestuesish u mblodhën në Mynih për të kërkuar luftë kundër urisë ekstreme, sigurimin e drejtësisë sociale dhe ndalimin e përdorimit të lëndëve djegëse fosile.
Nga Attac (Shoqata për Taksimin e Transaksioneve Financiare dhe për Veprimin e Qytetarëve) e deri te Fondi Botëror i Kafshëve të Egra, rreth 15 grupe kritike ndaj globalizimit pritet të marrin pjesë në demonstratat gjatë samitit.
Fokusi në pasojat e gjera të luftës
Situata në Ukrainë pritet të jetë në krye të agjendës, me premtime të liderëve për më shumë ndihmë për vendin.
Shtatë vendet më të pasura të botës do të shpallin një ndalim të importeve të arit rus, tha sot presidenti amerikan Joe Biden.
“Së bashku, G7 do të njoftojë se ne do të ndalojmë importin e arit rus, një eksport i madh që tubon dhjetëra miliarda dollarë për Rusinë”, tha ai në Twitter.
“Ne do të qëndrojmë me Ukrainën për aq kohë sa të duhet. Ndikimi negativ global i luftës së Rusisë do të jetë fokusi i bisedimeve tona në G7”, tha shefja e BE-së Ursula von der Leyen.
Gjithashtu, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson përsëriti se qeveria e tij do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën.
“Tani nuk është koha për të hequr dorë nga Ukraina, ata kanë nevojë për mbështetjen dhe vendosmërinë e G7-tës më shumë se kurrë”, tha ai në Twitter.
Sipas një deklarate të qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, vendi është i gatshëm të garantojë edhe 400 milionë funte kredi për qeverinë ukrainase, duke e çuar mbështetjen totale ekonomike dhe humanitare të Britanisë në mbi 1,5 miliard funte.
Masat e sigurisë
Ndërkohë, policia gjermane ka përfunduar përgatitjet për t'u përballur demonstratat e mundshme gjatë ngjarjes.
Më shumë se 20.000 policë do të jenë në detyrë për sigurinë e liderëve të G7-tës.
Zona prej 4 kilometrash rreth Pallatit Elmau, ku do të mbahet samiti, është mbyllur.
Protestuesit do të hapin gjithashtu një kamp proteste kundër Samitit të G7-tës në Garmisch-Partenkirchen, ku pritet të marrin pjesë rreth 750 njerëz.
Gjithsej 260 kontejnerë janë instaluar në stadiumin Olimpik të Skive në qytet, ku policia, prokurorët dhe gjyqtarët do të punojnë në turne 24-orëshe, duke gjykuar të arrestuarit gjatë demonstratave.
Ndërkohë, gjatë Samitit të G7-tës, Gjermania ka pezulluar përkohësisht aplikimin për Shengen për arsye sigurie.
Ministria e Punëve të Brendshme gjermane filloi të kryejë kontrolle të përkohshme në kufijtë e Gjermanisë nga data 13 qershor deri më 3 korrik 2022.
Për të parandaluar hyrjen e personave të dhunshëm në Gjermani, kontrolle kufitare po zbatohen në kufijtë tokësorë, ajrorë dhe detarë të vendit.
Kush merr pjesë?
Presidenti i SHBA-së Joe Biden, kancelari gjerman Olaf Scholz, presidenti francez Emmanuel Macron, kryeministri britanik Boris Johnson, kryeministri japonez Fumio Kishida, kryeministri italian Mario Draghi dhe kryeministri kanadez Justin Trudeau do të marrin pjesë në samit.
Përveç shtatë shteteve, të ftuar janë edhe Indonezia, India, Afrika e Jugut, Senegali dhe Argjentina.
Kryeministri indian Narendra Modi pritet të flasë në dy sesione që përfshijnë tema si mjedisi, energjia, klima, siguria ushqimore, shëndeti, barazia gjinore dhe demokracia.
Presidenti i Ukrainës Zelenskyy, krerë të shteteve dhe qeverive të vendeve partnere, si dhe kryetarë të organizatave ndërkombëtare do të përfshihen gjithashtu përmes lidhjes me video.