Nazmi Abduramani
25 Nëntor 2015•Përditësim: 25 Nëntor 2015
SHKUP (AA) - Në një ceremoni festive dhe në prani të korit diplomatik, përfaqësuesve të partive politike dhe të qeverisë sot u shënua 10 vjetori i themelimit të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore (OEMVP), raporton Anadolu Agency (AA).
Në këtë jubile 10 vjeçarë të OEMVP-së, në të cilën u zgjodhën edhe TOP 100 kompanitë më të sukseshme, kryetari i saj Nebi Hoxha tha se që nga fillimi i formimit të Odës ajo është rritur dhe zhvilluar duke arritur reputacion vendor dhe ndërkombëtarë.
“Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore që nga themelimi i saj e deri më sot është rritur si në aspektin e numrit të anëtarëve po ashtu edhe në veprimtarinë e saj në fusha të ndryshme. Ka fituar reputacion dhe kredibilitet si në nivel vendor edhe atë ndërkombëtar. Për një dekadë të plotë ne jemi urë lidhëse e bizneseve me qëllim të sigurimit dhe kultivimit të marrëdhënieve ekonomike në një nivel më të lartë dhe të besueshëm, dhe njëkohësisht vazhdojmë misionin tonë të përfaqësimit të interesave të kompanive amtare të Odës”, deklaroi Nebi Hoxha, kryetar i OEMVP-së.
Ai shtoi se programi, vlerat dhe parimet që shoqërojnë punën e tyre, e në radhë të parë përkushtimi dhe serioziteti ishin faktorët kryesorë të suksesit gjatë rrugëtimit dhjetë vjeçarë.
Në këtë event i pranishëm ishte edhe zëvendëskryeministri për Implementimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit Musa Xhaferi, i cili shtoi se si përfaqësues qeveritarë do të vazhdojnë ndihmën për përmirësimin e legjislacionit i cili do të favorizojë biznesin, konkurrencën e lirë drejt arritjes së sukseseve edhe më të mëdha.
Ministri i Ekonomisë së Maqedonisë, Bekim Neziri në fjalën e tij i uroi suksese në dekadën e dytë Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore.
"Oda Ekonomikë e Maqedonisë Veriperëndimore është një shtytës kryesor i biznesit shqiptarë në Republikën e Maqedonisë. Konform të dhënave kompanitë shqiptare zënë vendin e vet në shoqërinë e Maqedonisë, andaj rreth 600 milionë euro vetëm top 100 kompanitë më të mëdha e OEMVP-së bëjnë qarkullim vjetor, me fitim diku rreth 33 milionë euro. Kjo do të thotë se Oda ekonomike dalëngadalë zë vend kryesor në Republikën e Maqedonisë", tha ministri Neziri.
Përndryshe, OEMVP-ja është themeluar në vitin 2005 në bazë të ligjit mbi odat ekonomike i cili nga Parlamenti i Maqedonisë u miratua në vitin 2002. Arsyeja kryesore e themelimit të këtij institucioni për themeluesit ishte përkrahja dhe avancimi i biznesit shqiptar i cili deri atëkohë ishte lënë jashtë mbështetjes së institucioneve te biznesit.